LDK:Emërtimet e institucioneve në kundërshtim me ligjin
Prishtinë, 19 tetor - Vendimet e fundit të Qeverisë për emërtimin e institucioneve themelore të dijes dhe të kulturës në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron të kundërligjshme, thuhet në një komunikatë të LDK-së.
Dështimet në fushën e arsimit, të shkencës dhe të kulturës Qeveria po përpiqet ti mbulojë me vendime ekskluzive dhe të kundërligjshme dhe vetëm sa po e dëshmon deficitin e saj intelektual dhe kulturor.
Universiteti i Prishtinës, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës dhe Instituti i Historisë janë emërtuar kështu në Statutet e tyre dhe kjo nuk mund të ndryshohet me vendime të Qeverisë.
Ndryshimet mund të bëhen vetëm me ndryshimin e Statuteve, ndërsa kompetencën për miartimin e Statuteve e ka vetëm Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje Qeverisë që të punojë për arsimin, shencën dhe kulturën, që ti ndihmojë institucionet dhe jo të fshehë mospunën e vet me vënie emrash.
Lidhja Demokratike e Kosovës dëshiron të theksojë se në traditën e gjatë evropiane, univeristetet e marrin emrin sipas vendit, ndërsa nuk ka asnjë Bibliotekë Kombëtare dhe Universitare që quhet ndryshe, pos me këtë emër.
Edhe në këtë rast, Lidhja Demokarike e Kosovës i bën thirrje Qeverisë që të dërgojë për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosvës vendimet për themelimin e Universitetit të Prizrenit dhe të atij të Pejës, sepse në mungesë ratifikimi këto institucione po veprojnë në kushte jolegale, thuhet në komunikatën e LDK-së