28 Prill 2024

LDK: Viti 2011, vit i dështimeve të mëdha të Qeverisë

Prishtinë, 30 dhjetor - Lidhja Demokratike e Kosovës në një deklaratë për shtyp ka vlerësuar se vjedhja e votave në zgjedhjet e vitit 2010 ka bërë që të kemi institucione jo përfaqësuese dhe me lidhje të fortë të krimit me institucionet e shtetit.

“Duke marrë parasysh se kemi mbi 220 mijë lëndë të pa zgjidhura nga fusha civile në gjykatat e Kosovës, kjo përbën rrezik permanent për manipulim dhe për ngritjen e strukturave jo formale dhe kriminale”.

Sipas LDK-së, Qeveria ka pasur veprime të pamatura të cilat kanë rrezikuar dhe vazhdojnë të rrezikojnë tërësinë territoriale të vendit, “siç ishte rasti me veprimet e 25 korrikut”. Ky aksion ka marr përkrahjen e LDK-së, “por tërheqja e policisë nga veriu dhe mungesa e planit për qëndrueshmërinë e veprimeve ka rrezikuar sigurinë e qytetarëve në atë pjesë të vendit”.

“Në pjesën veriore nuk ka gjykata, nuk funksionojnë prokuroritë dhe për pasoje nuk ekziston shteti i së drejtës”

LDK beson se për te pasur një shtet të së drejtës që funksionon, duhet ndërtimi i kapaciteteve demokratike për qeverisje të mire dhe qëndrueshmëri institucionale.

Në fushën e ekonomisë, sipas LDK-së, viti 2011 filloi me vonesat në konstituimin e qeverisë dhe në miratimin e buxhetit, i cili në masë të madhe ishte peng i premtimeve elektorale për të fituar vota.

“Rritja e pagave nga muaji mars rezultoi me prishjen e marrëveshjes me FMN-në dhe humbjen e 167 milionë eurove”.

Raporti i Progresit për vitin 2011 konfirmoi se Kosova ka ecur mbrapa në shumë fusha të zhvillimit ekonomik dhe social. Sipas OKB-së, Kosova e zë vendin e tretë në botë për nga numri i azilkërkuesve.

“Gjatë viti 2011 nuk u krijuan vende të reja pune, përpos pak pozitave që u shpikën nga ana e Qeverisë për të punësuar militantët e familjarët e tyre”, thonë në LDK. “Investimet kapitale nuk pritet të krijojnë efekte multiplikuese në ekonominë vendore, pasi 49 për qind të investimeve shkojnë vetëm për projektin e autostradës, dhe nuk ka prioretizim të shpenzimeve”

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se Qeveria vijon të mos ketë asnjë politikë për institutet shkencore-kërkimore.

“Provimi shtetëror i maturës provoi konkretisht dështimin e qeverisë, qoftë sepse u organizua shumë dobët, qoftë për shkak të rezultatit tepër të dobët, madje të palejueshëm”.

Kur është fjala te shëndetësia, LDK vlerëson se qasja joserioze dhe menaxhimi joadekuat kanë shkaktuar mangësi të shumta në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

“Ligji për Sigurime Shëndetësore: konsiderohet si bazë e fillimit të reformave shumë të nevojshme në Sistemin shëndetësor në Kosovë. Ky Ligj është paraparë që të kalohet në Parlamentin e Kosovës gjatë vitit 2011, por fatkeqësisht ende nuk është shqyrtuar. Në anën tjetër, në projektbuxhetin i paraparë për vitin 2012, për implentimin e këtij Ligji nuk janë ndarë mjete”.

Për LDK-në, gjatë vitit 2011, Republika e Kosovës ka pësuar dëmtim të imazhit të saj ndërkombëtar.

“Edhe pse Kushtetuta qartë parasheh Presidenten si udhëheqëse të politikës së jashtme dhe MPJ si zbatuese të asaj politike, sot në Kosovë, për të kënaqur apetitet e partnerëve të koalicionit, kjo qeveri ka një sërë adresash të politikës së jashtme, si: Presidenten, kryeministrin, zv.kryeministri Pacolli, zv.kryeministerja për procesin e dialogut, Tahiri, Ministri i Punëve te Jashtme, Ministrja e Integrimeve Evropiane, Ministri i Diasporës, dhe në disa raste edhe zv.kryeministerja dhe ministrja e Tregtisë”.

Lidhur me procesin e negociatave me Serbinë, LDK deklaron se Qeveria ka hyrë në dialog totalisht e papërgatitur, pa agjendë të bisedimeve, pa e ditur se çfarë përfiton dhe çfarë dëshiron të arrijë.

“Serbia ka arritur qe t’i shndërroj negociatat me Prishtinën nga niveli teknik ne atë politik, duke diskutuar çështje të rregullimit të brendshëm të Kosovës”.

Raporti i progresit, që nga javorja “The Economist” u cilësua si ‘Raport i Stagnimit’, për LDK-në tregon ngecjet e Qeverisë. Imazhi në rënie, pasqyrohet edhe në raportet e Departamentit të Shtetit, Amnesty International, Transparency International, Fredoom House etj.

“Procesi i liberalizimit të vizave, që qe premtuar nga Qeveria që në pranverë, pastaj në tetor dhe tani në janar, tregon dështimin e vazhdueshëm të Qeverisë”.

Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se viti 2011 për Kosovën shënon rrënimin e konceptit elitar për kulturën, duke krijuar një model atipik qeverisës që e zhveshë Kosovën nga trashëgimia dhe nga ikonat kulturore të saj.

“Janë larguar dhe janë emëruar politikisht dhe ndonjëherë jashtëligjshëm njerëz në poste menaxhuese. Janë shantazhuar drejtuesit e departamenteve dhe të institucioneve. Është ndërhyrë në stafin civil dhe është bërë presion mbi administratën”, potencon LDK, sipas së cilës ministri i Kulturës më shumë ka qenë i interesuar për buxhetin për mallra dhe shërbime, paga dhe mëditje, se sa për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

“Mjetet për projektin e turizmit kulturor u përdorën për blerjen e një veture në vlerë prej 47,000 Euro, edhe pse me 70 mijë kilometra të kaluara”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)