LDK: Thaçi po bën fushatë me paratë e kryeministrisë
Prishtinë, 8 maj - Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet dhe në kundërshtim me çdo etikë, bëri fushatë të hapur paraelektorale.
Ai pagoi me paratë e qytetarëve të Kosovës që të transmetohet njëkohësisht në disa televizione ligjërata e tij e dobët, e mbushur me mashtrime të vjetra dhe me premtime të reja. Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se fushata e Thaçit në emër të PDK-së, e sponsoruar nga Zyra e ish-kryeministrit përbën shkelje të rëndë, thuhet në reagimin e LDK-së.
Kjo parti, thotë se dëshiron të rikujtojë se qeveria e PDK-së në këtë mandat ka qenë totalisht jotransparente, ajo madje dështoi të emërojë një zëdhënës që do tu fliste qytetarëve të Kosovës në emër të qeverisë.
Qeveria e PDK-së ka qenë qeveri e skandaleve që kanë prishur imazhin e Kosovës dhe na kanë larguar nga Evropa. Nën qeverisjen e PDK-së është vjedhur dhoma e dëshmive, është keqpërdorur tenderi i pasaportave biometike. Për shkak të qeverisjes së keqe të PDK-së, sot Kosova është vendi më i varfër në rajon dhe në Evropë, si dhe një ndër vendet më të varfra në botë. Kosova e ka standardin më të ulët të jetesës në rajon.
Kosova e ka sistemin më të dobët të shëndetësisë. Kosova e ka sistemin më të dobët të arsimit në rajon dhe më të dobëtin në Evropë. Kosova është i vetmi vend i izoluar në rajon. Kosova është vendi me drejtësinë më të politizuar në rajon. Kosova nuk ka bërë asnjë përparim në rrugën e integrimeve evropiane. Kategoritë sociale janë trajtuar keq. Ata që kanë kontribuuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës nuk janë trajtuar njëjtë.
Investimet nuk janë shpërndarë proporcionalisht dhe mijëra dështime tjera në të gjitha fushat e jetës, thuhet në reagimin e LDK-së.
LDK-ja thotë se kjo qeveri ka 7 vjet që qeveris dhe ankohet pse fondet e privatizimit kanë mbetur jashtë vendit. Ka ndërhyrë në vendimin e Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme.
E ka falur Distribucionin dhe Furnizimin me Energji, me vetëm 18.9 milionë euro. Tash premton falje të borxheve të faturave të energjisë, për të cilat nuk është përgjegjës.
Ka shkatërruar arsimin e lartë e tash premton kosto zero për studentë. Ndërkaq, nuk i ka paguar bursat plotësisht për studentët që kanë fituar bursa. Shkollat nuk kanë laboratore dhe klasët janë me nga 50 nxënës.
Bujqit dhe fermerët e hudhin rrushin dhe patatet çdo vit. Njerëzit e PDK-së i kanë privatizuar tokat bujqësore, marrin subvencione nga Thaçi dhe i lëshojnë tokat me qira.
Si gjeneruese e dështimeve të tilla dhe si rrënuese e funksionalitetit të shtetit, PDK-ja është subjekti që duhet dhe që do të shkojë në opozitë.
Lidhja Demokratike e Kosovës u bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të reflektojnë për katër vjet dështime të qeverisë së PDK-së.