LDK: Të ndalet korrupsioni dhe krimi në komunat e qeverisura nga PDK
Prishtinë, 9 mars - Këshilli i Ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nga fusha e sundimint te Ligjit ka vlerësuar se në gjysmën e komunave që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), kryetarët janë nën hetime apo në proces gjykimi për afera korruptive dhe kriminale.
Kjo sipas LDK-së është shqetësuese për qytetarët e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtar që e kanë mbështetur pavarësinë.
"Fatkeqësisht po vërtetohen paralajmërimet e LDK-së se institucionet e shtetit, në nivel qendror lokal, PDK i ka vënë në shërbim të grupeve kriminale dhe korruptive."
"Procedimi penal dhe gjykimi i këtyre rasteve është me rëndësi jetike për të ardhmen evropiane të Kosovës", thuhet në konstatimin e LDK-së.
Për LDK shqetësues është fakti se në disa raste hetimet janë zvarritur nën presionin e grupeve të caktuara të lidhura me PDK-në. Kjo ka bërë që këto raste të merren në shqyrtim nga EULEX-i. Si rezultat, besimi i qytetarëve në institucionet vendore të rendit ka rënë dukshëm.
LDK bënë thirrje që policia, prokuroria dhe gjykatat të kryejnë obligimin e tyre ligjor. LDK i fton këto organe të mos bien nën ndikimin e PDK-së dhe grupeve kriminale që kanë për qëllim pasurimin e tyre në kundërshtim me ligjin.
LDK shpreh mbështetjen e plotë për personelin e policisë, prokurorisë dhe gjykatave që merren me këto raste. LDK është e vetëdijshme se ata janë nën presion të madh të grupeve të interesit të PDK-së.
LDK do të vazhdoi që me ngulm të kërkoj implementimin e shtetit të së drejtës. LDK po i bënë të gjitha përgatitjet që sapo të vije në krye të institucioneve të vendit të ndërmarrë një sërë reformash për tu siguruar se grupet kriminale dhe shkelësit e ligjit të përballen me drejtësinë.
LDK vlerëson se vetëm me një qeverisje të tillë me duar të pastra, çfarë mund të ofrojë LDK, vendi mund të ketë perspektivë evropiane.