LDK sot shënoi 22-vjetorin e themelimit
Me këtë rast, lideri i partisë më të madhe opozitare, Isa Mustafa tha se LDK-ja si partia e parë demokratike në rajon më vonë me punën e saj i ka dhënë shpirt edhe lirisë e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
"Ibrahim Rugova ka dhënë kontribut historik në zhvillimin e LDK-së dhe në zhvillimin e idesë për liri dhe pavarësi të Kosovës, duke afirmuar Kosovën në arenën ndërkombëtare, ndërsa me shpirtin e tij humanitar, me idetë e me dijen e tij kontriboi që Kosova të respektohet edhe në momentet më të vështira nga vende e tjera", ka thënë Mustafa.
Ai ka folur edhe për rëndësinë që pati Ibrahim Rugova në themelimin e LDK-së dhe kontributin e tij të dhënë për afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Mustafa po ashtu vlerësoi se Ibrahim Rugova ka kontribuarnë zhvillimin e një solidariteti të paparënë Kosovë, si forcë, dhe si energji e qytetarëve dhe e popullit të Kosovës, rinisë studentëve dhe intelektualëve të Kosovësnë rezistencën ndaj një pushteti të ashpër represiv të Serbisënë Kosovë.
"Falë LDK-së dhe Ibrahim Rugovës, sot ne po gëzojmë lirinë, po gëzojmë pavarësinë dhe po ndërtojmënë përgjithësi shtetin e Kosovës", tha Mustafa.
Lidhja Demokratike e Kosovës punoi fort në vitet e nëntëdhjeta, së bashku me forcat e tjera politike, si dhe me Parlamentin e me Qeverinë e Republikës së Kosovës, hapi zyra dhe përfaqësi të Kosovës në shumë vende evropiane dhe në SHBA.
LDK ideoi formimin e Këshillit të Partive Politike të Kosovës dhe Këshillit të Partive Politike Shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Medvexhë e Bujanoc.
Këto institucione politike morën vendime të rëndësishme. Po ashtu, LDK-ja vendosi një bashkëpunim të ngushtë me Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe me partitë e tjera politike atje.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ibrahim Rugova sipas Mustafes janë gurthemelet e Republikës së Kosovës. Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja u bë forca e parë politike, që do tu printe proceseve për pavarësinë e Kosovës dhe forca në të cilën ishte mbështetur i tërë populli i Kosovës.
Ai tha se Presidenti Rugova pati guximin që, në kohërat më të vështira, të dalë në ballë të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, duke e bërë legal vullnetin politik të popullit të saj. U cilësua me thirrjet e tij për pajtim të brendshëm, për durim, për solidaritet, për mirëkuptim e për dialog.
Në vitet e pasluftës, LDK-ja filloi të profilizohet si parti politike, në një konkurrencë të jetës shumëpartiake në Kosovë dhe në frymën e kërkesave të reja për ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe forcimin e tij.