LDK smund të anashkalohet
Prishtinë, 28 gusht - Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri në një intervistë për Epokën e re ka thënë se Thaçi e Mustafa duhet të ulën e të bisedojnë për procesin e dialogut.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri në një intervistë për Epokën e re ka thënë se pa LDK-në asnjë proces nuk mund të mbyllet i suksesshëm. Ai ka thënë se çdo proces që pretendohet të mbyllet pa LDK-në do të jetë i lëndueshëm, i diskutueshëm dhe mund të jetë i dështuar.
Edhe në vitin 2006 kur PDK-ja ishte në opozitë, LDK-ja pati vlerësuar se pa të nuk mund të mbyllet procesi i statusit të Kosovës- pavarësisë, për arsye të rolit të saj historik dhe lidershipit që ka pasur në atë kohë.
Thirrja jonë në kuptimin e dialogut është kjo: dialogu gjithmonë duhet të jetë i përgatitur mirë, i qartë dhe transparent, duke vendosur në plan të parë Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka thënë Haziri.
Deklaratën e nënkryetarit të PDK-së, Rrustem Mustafës, se në këtë fazë vendit i duhet një koalicion i madh PDK-LDK, Haziri nuk e sheh të realizueshme në këtë moment.
Në ketë fazë që jemi dhe në ketë ambient që jemi nuk po shoh asnjë fije që mund ta lidh LDK-në dhe PDK-në në një koalicion të përbashkët, ka thënë Haziri.
Ai ka bërë thirrje që në këtë kohë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa duhet të ulën bashkë dhe të bisedojnë për të mirën e shtetit të Kosovës, duke i harruar edhe njëri edhe tjetri mosrespektimin e marëveshes së Rambujes për qeverisje të përkohshme dhe këtë të fundit për mandatin e presidentit.
Natyrisht, se marrëdhëniet tona(PDK-LDK) jashtëzakonisht i ka lënduar mosrespektimi i marrëveshjes për presidentin nën garantimin e faktorit ndërkombëtar. Kjo traumë e mashtrimit nuk do të harrohet shumë lehtë, sikurse PDK-ja që nuk e ka harruar asnjëherë moszbatimin e marrëveshjes së Rambuejes për Qeverinë e Përkohshme. Unë do të dëshiroja që të dyja këto të harrohen dhe për proceset e rëndësishme mos të vazhdohet ti qesim fraza njëri-tjetrit, ka thënë Haziri.