LDK: Skandalet në MPJ vazhdojnë ta dëmtojnë imazhin e shtetit
Prishtinë, 2 mars- Lidhja Demokratike e Kosoves (LDK) shpreh shqetësimin e saj rreth vazhdimit të skandaleve nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe në veçanti për raportimet e fundit lidhur me keqperdorimet e bëra në këtë ministri nga ana e u. d. Sekretares së Përgjithshme dhe rasteve të tjera të keqpërdorimeve në ambasadat e Kosovës.
Shfrytëzimi i parasë publike për dëshira personale është i kundërligjshëm dhe i papranueshëm, në veçanti për një sektor kaq të rëndësishëm të qeverisjes që paraqet pasqyrën e Kosovës nëpër botë.
U.d. Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Punëve të Jashtme, znj. Behluli e mban pozitën e saj në mënyrë të paligjshme, në kundërshtim me Ligjin për Shërbyesit Civilë, nenin 30, pikën 4, ku thuhet se: Në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës nuk mund të emërohet më gjatë se tre (3) muaj, kurse u.d. Sekretarja e Përgjithshme ka më shumë se 6 muaj që është në këtë pozitë. Me këtë, Ministri Hoxhaj po i shkel ligjet e Republikës se Kosovës, duke ia mundësuar mbajtjen e pozitës në mënyrë të jashtëligjshme u.d Sekretares së Përgjithshme, e cila pastaj këtë pozitë po e keqpërdor duke shfrytëzuar paratë e taksapaguesve për privilegje që nuk i takojnë. Skandali tjetër, ai i keqpërdorimit të 40. 000 euro të buxhetit të Kosovës nga ana e ambasadorit Naim Malaj në Zvicër, dëshmon se skandalet e MPJ-së vazhdojnë të mbulohen nga ana e ministrit Enver Hoxhaj. Ndërsa, pagesa prej mijëra eurosh në muaj për ambasadorin Sylejman Selimi, i cili në vend se të suspendohet nga MPJ-ja deri ne përfundim të gjykimit po paguhet pa punuar, dëshmon keqmenaxhimin e financave publike nga ana e kësaj ministrie.
Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se veprimet e tilla janë shumë të dëmshme dhe rrezikojnë në rend të parë funksionimin e Ministrisë dhe të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, një shërbim ky që është jetik për shtetin tonë të ri.
Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga Ministri Hoxhaj që sa më parë ta shkarkojë e znj. Behluli nga pozita e u.d. Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Punëve të Jashtme, meqë veprimet e kundërligjshme që ajo ka kryer kanë dëmtuar jo vetëm buxhetin e Republikës së Kosovës, por edhe imazhin e institucioneve dhe interesat e shtetit dhe të qytetarëve.
Po ashtu, Ministri Hoxhaj duhet të kërkojë hetimin e rastit të keqpërdorimeve nga ambasadori Malaj, si dhe të ndërpresë pagesën e z. Selimi deri në përfundimin e gjykimit të tij.
MPJ-ja duhet që urgjentisht ti paraqesë shkeljet dhe skandalet e vazhdueshme të disa prej zyrtarëve të saj para Komisionit për Grada dhe Disiplinë, në mënyrë që këto raste të hetohen sipas ligjeve në fuqi.
LDK-ja kërkon që të respektohet dinjiteti i personelit të MPJ-së, të vlerësohet drejt profesionalizmi dhe performanca e personelit të Shërbimit të Jashtëm, që gradimi të bëhet në bazë të meritave dhe performancës dhe jo në bazë të librezs partiake të PDK-së.
LDK-ja, po ashtu, u bën thirrje organeve shtetërore të hetuesisë të fillojnë hetimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga ana e zyrtarëve të MPJ-së.
\"Politika e jashtme është një interes jetik kombëtar dhe jo interes i njërëzve të caktuar në Ministri dhe i strukturës politike të PDK-së që është instaluar në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Skandalet e njëpasnjëshme të kësaj ministrie janë njëra nga arsyet pse ritmi i njohjeve të Republikës së Kosovës është aq i ngadalshëm, meqë imazhi i shtetit po shkatërrohet nga njerëz që shërbimin diplomatik po e konsiderojnë pasuri të tyre personale e jo sektor jetik nëpërmjet të cilit avancohen interesat e shtetit\", thuhet në komunikatën e LDK-së.