LDK shpreh keqardhje për deklaratën e familjes Rugova
Prishtinë, 10 nëntor - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe strukturat udhëheqëse të partisë, shprehin keqardhjen lidhur me deklaratën e sotme të familjes Rugova, të publikuar nga agjencitë e lajmeve, lidhur me çështjen e përfshirjes së Ukë Rugova në proceset e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Siç e ka bërë publike edhe vetë kryetari Mustafa, Kryesia dhe Këshilli Qendror i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shprehur gatishmëri të plotë që Ukë Rugova ta përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo i është komunikuar zRugova drejtpërdrejt nga kreu i partisë, por edhe në deklarimet e tij publike.
Lidhja Demokratike e Kosovës sipas njoftimit posa ka mbyllur më sukses të plotë procesin e brendshëm zgjedhor, që ka kulmuar me zgjedhjen tërësisht demokratike të kryetarit të partisë dhe të strukturave udhëheqëse.
Në njoftim thuhet se mbetet e përkushtuar që të punojë shumë për të dalë parti e parë në zgjedhjet nacionale të 12 dhjetorit dhe të vijojë reformimin e saj të brendshëm, për tiu prirë proceseve të rëndësishme që Kosova ka përpara.
Oferta e sinqertë e kryetarit Mustafa dhe e organeve drejtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës për Ukë Rugova mbetet e hapur.