LDK sflet me një zë
Prishtinë, 28 shtator - Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk po godasin në një vend. Janë të paktën dy raste kur anëtarë të Kryesisë së kësaj partie kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin deklarata kundërthënëse.
Mbajtja e zgjedhjeve të brendshme në parti dhe marrëveshja e arritur mes LDK-së dhe Bllokut paszgjedhor për bashkëqeverisje, janë dy shembujt që kanë vënë në pah dallimet në qëndrime që ekzistojnë brenda partisë së drejtuar nga Isa Mustafa.
Me të përfunduar zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, kryetari i LDK-së kishte konfirmuar se ky subjekt politik do të mbajë kuvendin e saj zgjedhor në muajin nëntor. Por mbajtja e këtij kuvendi është vënë në pikëpyetje për shkak të krizës politike në vend.
Tash, kur nuk është e sigurt nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, zyrtarë në LDK e shohin ndryshe rrjedhën e mbajtjes së zgjedhjeve në parti. Me agjendë, ato do të duhej mbajtur në muajin nëntor.
Nënkryetari i kësaj partie, Haki Rugova, pati thënë më herët për gazetën se ngërçi politik në vend nuk do të ndikojë në shtyrjen e zgjedhjeve të brendshme në LDK.
Sipas tij, agjenda e partisë dallon nga ajo shtetërore dhe nuk ka nevojë që të ndodhë shtyrja.
Ngërçi nuk do të ndikojë në shtyrjen e zgjedhjeve në LDK, pati thënë Rugova për Tribunën.
Krejt qëndrim tjetër ka shprehur ditëve të fundit Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri. /Tribuna/