LDK-së iu bashkuan mbi 150 të rinj nga shoqëria civile
Prishtinë, 14 maj - Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të mërkurën në një solemnitet ku ishte i pranishëm edhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Isa Mustafa, iu bashkuan mbi 150 të rinj, aktivistë të derishëm të organizatave të të rinjve në Republikën e Kosovës.
Duke falënderuar të rinjtë që kanë përzgjedhur programin e Lidhjes Demokratike, kryetari Mustafa theksoi se të rinjtë që deri tani kanë punuar për të mbrojtur interesat e bashkëmoshatarëve të tyre përmes sektorit të shoqërisë civile, këto të drejta dhe interesa do ti përfaqësojnë përmes Lidhjes Demokratike dhe pas 8 qershorit nga institucionet e shtetit.
Ardhja e të rinjve është dëshmi se LDKja është e hapur për të gjithë dhe ju garantoj se të gjithë do ta gjejnë hapësirën për ta përmirësuar gjendjen në vend. Fitorja jonë do të ndodhë më 8 qershhor. Kosova duhet të frymojë siç frymojnë të rinjtë. Orientimet tona programore janë në harmoni të plotë me interesat e të rinjve, ka thënë kryetari Mustafa.
Ai ka kritikuar qeverisjen e deritanishme për dështimet në secilën fushë, ndërsa ka theksuar se qytetarët e Kosovës nuk do të mashtrohen me premtime për misione të reja, me sjelljet e vjetra.
Alternativa që përfaqëson LDK-ja ofron mundësi për zhvillimin e Kosovës. Ne kemi program konkret që i mundëson Kosovës të shkëputet nga stagnimi dhe të marrë rrugën e zhvillimit, krijimit të vlerave dhe integrimit në vlerat euro-atlantike, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka thënë se prioritet i qeverisë së ardhshme që do të drejtohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës do të jenë të rinjtë, të cilëve do tu krijohen kushte për arsimim cilësor, integrim në rrjedhat ndërkombëtare dhe perspektivë punësimi në atdheun e tyre.
Duke folur në emër të të rinjve që iu bashkuan LDK-së, Murat Murati, theksoi se të rinjtë e Kosovës, ashtu sikurse edhe qytetarët tjerë të vendit, shpresën e shohin në Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila me traditën e saj dhe vizionin për qeverisjen e vendit, u garanton të ardhme të sigurt kësaj dhe gjeneratave të ardhshme të Kosovës.
Ai ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbështetur në vahdimësi të rinjtë dhe i ka mbrojtur ata nga përndjekjet e marionetave të partive tjera.