20 Janar 2025

LDK: RTK në shërbim të PDK-së

Prishtinë, 26 maj -  LDK-ja çmon kontributin e mediave për informimin e opinionit dhe do të jetë në vazhdimësi e përkushtuar për të qenë e hapur, bashkëpunuese dhe mbështetëse e mediave, për në mënyrë që ato ta kryejnë funksionin e tyre në përputhje me misionin që kanë dhe në harmoni me standardet më të mira të lirisë së shprehjes.

Në këtë kontekst, pa asnjë motiv për të ndikuar në pavarësinë editoriale, LDK-ja thekson domosdoshmërinë e shtimit të vëmendjes së gazetarëve dhe mediave për të mbuluar me objektivitet dhe paanshmëri fushatën parazgjedhore të LDK-së dhe të gjitha partive garuese në zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit 2014.

 Me disa përjashtime, LDK-ja e vlerëson pozitive qasjen e mediave ndaj saj në procesin nëpër të cilin po kalojmë. Shqetësimi ynë kryesor ka të bëjë me tendencën tashmë të shpërfaqur të transmetuesit publik, RTK, për anim të skajshëm ndaj partisë që po drejton qeverinë në largim. LDK-ja e ka të qartë arsyen e kësaj qasjeje të RTK-së, e cila vjen si pasojë e presionit të madh nga qeveria në largim, konkretisht PDK të cilët e shohin RTK-në si pronë private dhe si një prej instrumenteve për t’i shpëtuar humbjes së sigurt, të cilën ata janë të bindur tashmë se do ta pësojnë nga qytetarët e Kosovës, më 8 qershor.

Zyra për Informim e LDK-së, ka vërejtur mbulim joproporcional të aktiviteteve të partive politike kohët e fundit, ka dalluar favorizim të hapur të aktiviteteve të PDK-së dhe një tendencë anashkalimi e neutralizimi të aktiviteteve të LDK-së, por edhe të subjekteve tjera politike. Sidoqoftë, ne sot do të flasim për qasjen e RTK-së ndaj LDK-së.

Natyrisht, pa as më të voglën tendencë ndikuese dhe pa drojën që kjo qasje do të ndikojë negativisht në obligimin që ka LDK për t’ua prezantuar qytetarëve të Kosovës alternativën e saj qeverisëse.

Për ta ilustruar keqpërdorimin e RTK-së nga qeveria në largim, sot po ju sjellim vetëm disa shembuj konkretë, të faktuar. Mbrëmë, në edicionin e lajmeve qendrore të orës 19.30, RTK, premtimin bosh dhe në kundërshtim të plotë me përgjegjësitë që ka një qeveri në largim, premtimin elektoral të Hashim Thaçit për krijimin e Komunës së Kijevës, RTK e ka paraqitur në mënyrë të dukshme afirmative si vendim të qeverisë.

RTK ka transmetuar po ashtu tri kronika të gjata për aktivitetet e PDK-së, aq sa pothuaj ka transmetuar të gjitha aktivitetet e subjekteve tjera politike të marra së bashku.

RTK, dje, ashtu sikurse edhe çdo ditë tjetër, PDK-në e ka mbuluar me ekipë në të gjitha aktivitetet.

Madje, krahas aktiviteteve të Hashim Thaçit, ajo ka transmetuar edhe aktivitetet e zëvendëskryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Madje, aktivitetet e Kadri Veselit, RTK i transmeton të xhiruara nga një ekipë që nuk është e RTK-së, por që RTK-së ia dërgon materialet e gatshme, me urdhrin për t’i transmetuar. Kurse, ashtu sikurse edhe ditëve tjera, edhe mbrëmë, njërin aktivitet të liderit të LDK-së, Isa Mustafa, në Lipjan, RTK e ka transmetuar të shkurtër, kurse aktivitetetin tjetër, atë në Prishtinë, RTK nuk e ka parë të udhës ta mbulojë fare me ekipë të saj, por i ka shfrytëzuar fotografitë e Zyrës për Informim të LDK-së për ta ilustruar një lajm të shkurtër nga ai aktivitet.

Politika redaktoriale e PDK-së mbi RTK-në është hetuar lehtësisht edhe me rastin e transmetimit selektiv të sondazheve që është thënë se janë realizuar për të matur preferencat e të anketuarve për subjektet garuese dhe potencialisht garuese në zgjedhjet e 8 qershorit. LDK-në nuk e pengon fakti pse RTK nuk e ka transmetuar asnjë prej rezultateteve të këtyre sondazheve, të cilat LDK-në e kanë nxjerrë si parti potencialisht fituese të zgjedhjeve.

Madje, LDK-ja e inkurajon RTK-në të mos e transmetojë asnjë sondazh që nuk dihet prej kujt është porositur, kush e ka paguar dhe kush e ka realizuar. Sepse transmetimi i tyre, LDK-ja e ka të qartë se është i ndaluar me standardet profesionale të transmetuesit publik.

LDK-në dhe besoj të gjithë qytetarët e Kosovës, përveç militantëve të PDK-së, e pengon fakti se transmetuesi publik, që paguhet me taksat e të gjithë qytetarëve, përdorë qasje selektive dhe vendos të transmetojë vetëm ato rezultate të sondazheve, të cilat e nxjerrin PDK-në favorite, në kundërshtim me standardet profesionale të transmetuesit publik, duke mos treguar as prej kujt është porositur, as kush e ka paguar dhe as kush e ka realizuar.

LDK-ja po e ngre këtë çështje pak ditë përpara fillimit zyrtar të fushatës, e vetëdijshme se menaxhmenti i RTK-së dhe Bordi i RTK-së, në përpjekje për të fshehur realitetin dhe për të neutralizuar këto kritika parimore, mund të përsërisë ankesat për ndërhyrje politike.

Por, LDK-ja është e bindur se shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, tashmë e kanë identifikuar kush ndërhynë dhe kush e ka kapur RTK-në për ta përdorur për nevojat e veta propagandistike, sikur të ishte pronë private.

Shqetësimi i LDK-së ngrihet edhe për shkak se ne jemi të bindur që vëzhguesit e Bashkimit Evropian, do ta evidentojnë ashtu sikur edhe në fushatën për zgjedhjet e fundit lokale, anshmërinë e RTK-së ndaj PDK-së dhe Hashim Thaçit.

Anshmëria e RTK-së edhe në këto zgjedhje është një goditje tjetër që mund t’i bëhet procesit të përmbushjes së standardeve për integrim në Bashkimin Evropian, ku një prej standardeve kryesore është liria e mediave, me theks të veçantë standardi i funksionimit pa u ndikuar nga politika i transmetuesit publik, për çka Kosova ka marrë kritika në shumë raporte ndërkombëtare, përfshirë edhe raportet e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën.


Prandaj, LDK-ja i bën thirrje qeverisë në largim të mos vazhdojë ta keqpërdorë transmetuesin publik. Kurse, nga Bordi i RTK-së, anëtarët e të cilit kanë mandat nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për të mbikëqyrur, sipas ligjit, politikën editoriale dhe menaxheriale të RTK-së, kërkojmë ta kryejë detyrën e vet dhe të mos vazhdojnë ta bëjnë të paditurin, vetëm sepse ashtu marrin urdhrat nga shefat e tyre politikë.

Për të gjitha këto shkelje dhe për shkeljet eventuale që do të bëjë RTK, por edhe mediat tjera  gjatë kësaj fushate, LDK-ja do të ushtrojë të drejtën e ankesës në mekanizmat përkatës rregullues të mediave në Kosovë dhe jashtë saj, përfshi EBU-në, si dhe në institucionet tjera që me ligj janë të obliguara të garantojnë garë fer dhe demokratike zgjedhore.
 
Ndërsa, gjendja në të cilën RTK-në e ka sjellë qeveria në largim, LDK-ja është e bindur se do të ndryshojë pas 8 qershorit. Hashim Thaçi do të shkojë në opozitë.

Ai nuk do të mund ta kontrollojë më as RTK-në. Kurse, LDK-ja do të ketë qasje krejtësisht tjetër ndaj RTK-së dhe mediave. Shumica e ardhshme parlamentare, e cila do të drejtohet nga LDK-ja dhe qeverisja e ardhshme e Kosovës, ashtu siç ka thënë edhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Isa Mustafa, ndër prioritetet e saj për 100 ditëshin e parë të qeverisjes ka zgjidhjen e çështjes së financimit të RTK-së, si një prej parakushteve për ta shpëtuar nga ndikimi politik RTK-në, si aset nacional dhe të rëndësishëm për demokracinë tonë.

Ndërsa RTK-në dhe të gjitha mediat do t’i trajtojë në përputhje me standardet më të mira evropiane.

Ashtu siç e kemi thënë edhe më parë, pas 8 qershorit, RTK-në do t’ia kthejmë publikut.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)