LDK: RTK-ja po bën zëdhënësin e Kryeministrit
Prishtinë, 23 gusht - Radio-Televizioni i Kosovës sipas Lidhjës Demokratike të Kosovës vijon të bëjë zëdhënësin e Kryeministrit, të Qeverisë dhe të PDK-së, duke shkelur kështu të gjitha normat e një televizioni publik.
\"RTK-ja, në edicionet qendrore të lajmeve, vijon të konstruktojë informacionin që ka të bëjë me Lidhjen Demokratike të Kosovës edhe atëherë kur bëhet fjalë për komunikata që lëshon vetë LDK-ja.\"
Mbrëmë, në edicionin qendror të lajmeve, RTK-ja, sipas LDK-së pasi dha njoftimin se LDK-ja ka shpallur zgjedhjet në Degën e Vitisë dhe ka autorizuar Forumin e Rinisë që të shpallë zgjedhjet, duke iu referuar një mediumi privat, konstruktoi një debat për tema që nuk kanë të bëjnë me komunikatën e djeshme të LDK-së, por as më zhvillimet në LDK.
Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për veprimet e tilla të RTK-së, në dëm të informimit korrekt të qytetarëve të Kosovës dhe në dëm të LDK-së.
RTK-ja nuk guxon të sillet si kundërshtar politik i LDK-së dhe as i ndonjë subjekti tjetër, ashtu sikur nuk guxon të punojë për Kryeministrin, siç po bën tani.
Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje RTK-së që të përmbushë misionin që ka, për ti informuar drejt qyetarët e Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga RTK-ja që që sillet si një medium publik, si një medium që mbahet e funksionon nga taksat e qyetarëve të Kosovës dhe të mos punojë për interesat e Kryeministrit e të Qeverisë, në dëm të të gjithë të tjerëve.
Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për cenzurën që kanë vënë Kryeministri dhe Qeveria në Radio-Televizionin e Kosovës dhe për shpërdorimin që po i bëjnë këtij mediumi.
Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje Qeverisë, e cila, këto ditë, po përpiqet të kalojë një ligj me premisa kundërkushtetuese për RTK-në, me të cilin synon ta mbajë edhe më tej nën kontroll, që të heqë dorë nga kushtëzimet dhe nga kontrolli në RTK dhe të lejojë këtë medium të bëjë punën e një transmetuesi publik.
Po ashtu, nëse RTK-ja nuk bën përpjekje që të shmang kontrollin, nëse do të vijojë ti nënshtrohet Qeverisë e të sillet si kundërshtar politik i opozitës, Lidhja Demokratike e Kosovës do të konsiderojë se RTK-ja me vullnet është bërë mjet propaganda në dorë të Kryeministrit, të Qeverisë dhe të PDK-së dhe se me vullnet po e ndihmon Qeverinë që të sillet jo si një pushtet, por si një regjim.