LDK: Rendi i ligji nuk sundon kur qeveria bën sehir
Prishtinë, 22 maj - Po bëhen dy ditë që situata rreth të paraburgosurve që po mbaheshin me pretekst trajtimi mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është bërë krejtësisht e paqartë, ndërsa kryeministri dhe qeveria e tij në largim po bëjnë sehir.
Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se është e papërgjegjshme që në situata të tilla të fshihesh pas perdesh të skenave koreano-veriore a tribuna të stadiumeve të futbollit. Është e paligjshme që policinë e shtetit ta mbash peng dhe në pamundësi për të vendosur rendin.
LDK vlerëson se përderisa nuk shpallet fajtor nga Gjykata, secili është i pafajshëm. Të tillë janë edhe ata tre të paraburgosur, që përmes formave jashtë-institucionale, po sfidojnë një vendim Gjykate.
\"Kjo po bëhet sepse kjo qeveri në largim dhe njerëzit e partisë që po e udhëheqin atë e ka bërë praktikë shkeljen e ligjit. Kjo ngjarje na dëshmon edhe njëherë se institucione dhe pushtete kushtetuese janë të kapura nga strukturat e kësaj qeverie.\"
\"Mospërfillja e ligjit ka rrezikuar partneritetin me institucionet ndërkombëtare, që vet i kemi ftuar të na ndihmojmë për ta vendosur rendin dhe ligjin në shtetin tonë.\"
\"Përvoja e tyre tregon se kur bëhet fjalë për strukturat e partisë që udhëheqë qeverinë në largim, nuk zbatohet asnjë ligj, asnjë rregullore dhe rrjedhimisht nuk mund të ketë besim.\"
\"Prandaj, qeveria në largim, pa më të voglën përgjegjësi, deklaron se nuk mund të thotë asgjë dhe të ndikojë në vendimin e Gjykatës për transferimin në Mitrovicën e Veriut të të paraburgosurve\", thekson LDK.
Sikur të ishte ndryshe, LDK nuk beson se do të diskutohej ky transferim. Për arsye që dihen. Edhe për shkak të sensibilitetit të akuzës që rëndon mbi të paraburgosurit, kjo është e vështirë.
\"Tani bindet çdo qytetar se ajo çfarë ka thënë me mburrje qeveria në largim, se ka vendosur sovranitetin e shtetit në tërë territorin e saj, është veçse një mashtrim. Me pak përjashtime, ne të gjithë i kemi mbështetur përpjekjet për shtrirjen e rendit dhe të ligjit në tërë territorin e vendit tonë. Përfshirë edhe veriun.\"
\"Por, të thuash sot që shteti ynë ka vendosur sovranitetin e saj edhe në veri është mashtrim. Të synosh për ta realizuar këtë objektiv është obligim kushtetues dhe objektiv parësor\", thekson LDK.
LDK konsideron se Qeveria në largim e ka obligim të ndikojë në zgjidhjen e situatës që është krijuar rreth rastit. Të akuzuarit duhet të dalin para Gjykatës. Të përballen me faktet dhe të mbrohen me faktet që kanë. Të vendoset drejtësia.
Nëse nuk mund tu garantohet siguria në Veri të Mitrovicës, ata duhet të dërgohen në ndonjë qendër tjetër paraburgimi. Qeveria bën dhe duhet të ndihmojë në këtë proces, që të garantojë edhe procesin gjyqësor, por edhe dinjitetin e të paraburgosurve.
Ajo nuk bën të vazhdojë më tia mundësojë, askujt, që kohën e paraburgimit apo vuajtjes së denimit, ta kalojë jashtë Qendrave të paraburgimit apo burgjeve. Këtë vështirë se do të mund ta bëjë kjo qeveri. E qeveria e ardhshme duhet ta bëjë dhe do ta bëjë patjetër. Sepse në Kosovë duhet të sundojë vetëm rendi e ligji.