LDK reagon ndaj deklaratave të Ramush Haradinaj
Prishtinë, 19 mars - Lidhja Demokratike e Kosovës reagon ndaj deklaratave të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, i cili i entuziazmuar nga militantët e mbledhur nga partia e cila deri dje e quante njeri të haraçit, ka lëshuar deklarata etiketuese dhe shpifëse ndaj liderit të LDK-së, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Akademik Isa Mustafa.
Lidhja Demokratike e Kosovës i bën thirrje zotit Haradinaj që të tërhiqet nga shpifjet dhe akuzat, gjuhë të cilën siç duket e ka mësuar së fundi gjatë partneritetit me grupet radikale të majta në kuadër të koalicionit të molotoVëVe.
LDK-ja i bën të qartë zotit Haradinaj se ai është njeriu i fundit që mund ti shes moral në këto aspekte kujtdo në Kosovë, e aq më pak LDK-së.
Paraprakisht, zoti Haradinaj duhet të sqaroj prejardhjen e pasurisë së tij marramendëse, apo së paku aferën e fundit të privatizimit të qindra hektarëve tokë nëpër Kosovë.
Për hir të së vërtetës, në mandatin e kësaj Qeverie filloi zbardhja e plotë e rasteve dhe uzurpatorëve të pronave publike e të atyre që privatizuan pasuri marramendëse nëpër Kosovë, tash e sa vite. Po ashtu, kjo Qeveri rriti më shumë se kurdo herë tjetër pensionet dhe përkrahjen sociale.
LDK-ja kërkon nga zoti Haradinaj dhe mësuesit e tij të rinj në opozitë që të heqin dorë nga sulmet e ulëta verbale e fizike, si mjete për të synuar marrjen e pushtetit.
LDK-ja fton të gjitha subjektet që ia duan të mirën Republikës së Kosovës që të jenë pjesë e përkushtimit të përbashkët për avancimin e proceseve integruese euroatlantike, në miqësi të përhershme me SHBA-të dhe vendet tjera mike.