LDK: Qeveria Thaçi po i injoron mërgimtarët
Prishtinë, 2 tetor - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se është e shqetësuar me numrin e vogël të votuesve në mërgim të regjistruar për të votuar në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Në kontaktet e përditshme që LDK ka me qytetarët jashtë vendit, është vërejtur interesim i madh për pjesëmarrjen në zgjedhje.
LDK vlerëson se numri i vogël i votuesve nga jashtë është rezultat i organizimit jo-adekuat të ambasadave dhe konsullatave të Kosovës si dhe mos angazhimit të qeverisë për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje për shumë vite me radhë.
Në votimet e kaluara, me mijëra aplikacione të këtyre qytetareve nuk janë marrë parasysh.
Fatkeqësisht, Ambasadat dhe Konsullatat e Kosovës nuk po i kryejnë detyrat e tyre të informimit adekuat të mërgimtarëve për procedurat e regjistrimit dhe votimi.
Andaj LDK ka ftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Qeverinë e Kosovës që përmes ambasadave dhe konsullatave tona në shtete të ndryshme, të përmbushin obligimin e tyre ndaj qytetarëve tonë në mërgim duke iu ofruar informacione dhe mundësi më të mëdha rreth aplikimit dhe votimit të kësaj kategorie të qytetarëve tonë që janë tejet të kujdesshëm përballë obligimeve të tyre në raport me shtetin.