LDK: Qeveria ka dështuar në vendosjen e rendit dhe ligjit
Arben Gashi deputet i LDK-së në Parlamentin e Kosovës ka thënë se përpos problemeve kryesore që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të njeriut, e që janë dukshëm të theksuara në veri të Kosovës, raportet ndërkombëtare, si dhe Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, theksojnë edhe një sërë problemesh, që përfshijnë korrupsionin dhe favorizimet në burgje, paraburgimin e gjatë, paaftësinë gjyqësore, frikësimin e medieve nga zyrtarët publikë, korrupsionin qeveritar etj.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, gjithashtu, vëren edhe shumë probleme në organet shtetërore, që merren me zbatimin e ligjit.
Lidhja Demokratike e Kosovës sipas Gashit ka raportuar në vazhdimësi për problemet e vërejtura në sistemin e drejtësisë dhe të sundimit të Ligjit, si dhe raportet ndërkombëtare për Kosovën nga kjo fushë, kësaj radhe me fokus të veçantë Raportin e Departamentit Amerikan të shtetit, ndaj fton Qeverinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante që të veprojnë me urgjencë.
"Ashtu siç pasqyrojnë raportet e mëhershme të LDK-së, si dhe raportet kredibile ndërkombëtare, dhe tani së fundmi Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, mund të konkludohet se kjo qeveri ka dështuar në vendosjen e rendit dhe ligjit", ka theksuar Gashi.
Ai ka theksuar se në Kosovë, urgjentisht duhet të fillojë instalimi i praktikave demokratike të qeverisjes për ta përmirësuar, mbi të gjitha, gjendjen e të drejtave të njeriut.
Lidhja Demokratike e Kosovës, ashtu siç ka rekomanduar edhe më herët, beson se duhet të veprohet me urgjencë në fushat e mëposhtme, që të adresohen vërejtjet e paraqitura edhe në shume raporte ndërkombëtare dhe vendore, si dhe në raportin në fjalë:
- Mosndëshkimi dhe tolerimi i veprimeve dhe praktikave korruptive të zyrtarëve qeveritarë është problem më vete, kurse Qeveria duhet të reagojë me urgjencë për trajtimin e këtij fenomeni;
- Qeveria duhet ta përmirësojë pozicionin e Gjyqësorit, të zvogëlojë ndikimin e jashtëm, në mënyrë që të sigurohet një proces i drejtë dhe të ngrihet efikasiteti i gjykatave;
- Qeveria, gjithashtu, ka dështuar në trajtimin e rasteve të abuzimit të të burgosurve dhe të ndaluarve. Qeveria duhet ta trajtojë këtë problem dhe ti hetojë e ti parandalojë rastet e abuzimit të të burgosurve apo të ndaluarve;
- Të sigurohet trajtim i merituar mjekësor, si dhe të përmirësohen kushtet shëndetësore fizike për të burgosurit;
- Të trajtohen dhe të eleminnohen problemet endemike në qendrat e burgimit dhe të paraburgimit, që kanë të bëjnë me dhunën, korrupsionin, favorizimet te të burgosurit dhe të paraburgosurit;
- Policia e Kosovës është shndërruar nga një institucion me besimin dhe përkrahjen më të lartë qytetare në një institucion të përcjellë nga skandalet dhe problemet e vazhdueshme të brendshme, si rezultat i keqmenaxhimit dhe abuzimeve nga Ministria e Brendshme, përkatësisht nga Qeveria.
- Probleme vërehen edhe në njoftimin nga policia të të ndaluarve për të drejtat e tyre; duhet të ndërtohet praktika e garantimit të mundësive për mbrojtje ligjore, si dhe njoftimi i të ndaluarve dhe të dënuarve për të drejtat e tyre ligjore.
- Transparenca dhe llogaridhënia e Qeverisë është shumë ulet, sepse qasja e medieve dhe e publikut në punët qeveritare është shumë e vështirë dhe nuk ka persona përgjegjës për komunikim, duhet patjetër të ndiqet praktika demokratike e informimit të publikut.
- Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që Qeveria e Kosovës ti trajtojë seriozisht dhe me urgjencë raportet ndërkombëtare për Kosovën, dhe sidomos këtë të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe të gjitha raportet e institucioneve kredibile ndërkombëtare, në mënyrë që të ndërtohen praktikat dhe veprimet konkrete të Kosovës si një shtet evropian, i cili i kultivon vlerat më të larta demokratike, e respekton integritetin njerëzor, të drejtat civile e politike dhe i trajton seriozisht korrupsionin dhe transparencën.