20 Janar 2025

LDK premton 120 mijë vende pune

Prishtinë, 26 maj - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të hënën në Konventën e LDK-së për zhvillim dhe punësim se plani qeverisës i tij parasheh që brenda një mandati qeverisës ta rrisë buxhetin e Kosovës në 2.5 miliardë euro, ta luftojë hendekun e bilancit tregtar duke fuqizuar prodhimin vendor, si dhe do të krijojë 120 mijë vendetë reja pune, pjesa dërmuese e të cilëve në bujqësi dhe veprimtari prodhuese.

“Sipas ekspertëve të LDK-së norma e zhvillimit ekonomik është përgjysmuar nga qeveria aktuale dhe do të na duhet 30 vjet për të dyfishuar të ardhurat  kombëtare. Me këtë qeveri kemi 300 mijë të papunë. Kjo qeveri ua ka humbur shpresat të papunëve se mund të gjejnë një vend pune, ndërsa familjet me asistencë sociale nuk mund ta përballojnë shpenzimet elementare mujore. Si pasojë e qeverisjes aktuale, vetëm vitin e kaluar 21 mijë persona kanë kërkuar azil në vendet tjera”, ka thënë Mustafa..

Ai ka shtuar se kjo gjendje nuk mund të vazhdohet më tutje dhe “konsiderojmë se vetëm ne mund ta bëjmë kthesën e domosdoshme për qytetarin e Kosovës”.

“Qeveria e LDK-së do të jetë qeveri e zhvillimit dhe qeveri e punësimit. Ne do ta marrim besimin e qytetarëve për të udhëhequr në dy mandatet e ardhshme, për ta kthyer normalitetin në këtë vend, për ta zhvilluar atë dhe për ta integruar në Bashkimin Evropian.

"Me zbatimin e planit zhvillimor të LDK-së do të shënohet një epokë e re e zhvillimit të vendit tonë. Për herë të parë në historinë e saj, Kosova do ta ndërpres trendin e rritjes së papunësisë dhe gradualisht do ta zvogëlojë atë”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryeministër.

Mustafa ka thënë se lista e kandidatëve të LDK-së për deputetë në Kuvend ka 36 ekspertë të fushave të ekonomisë, shtatë prej tyre doktorë të shkencave, shtatë të tjerë magjistra të shkencave, ekonomistë dhe tre përfaqësues të bizneseve, që tregon për rëndësinë që i japim ne zhvillimit ekonomik të vendit dhe krijimit të vendeve të punës, të cilat janë të parapara në programin tonë ekonomik.

“Normat e larta të interesit po i dekurajojnë firmat private, investimet e jashtme janë përgjysmuar pasi që investitorët ikin nga korrupsioni i lartë. Shumica e ushqimeve që konsumojmë vijnë nga jashtë ndërsa tokat pjellore të Kosovës janë djerrina. Deficiti tregtar është thelluar dhe ka arritur në 2.2 miliardë euro. Këtë gjendje mund ta sanojë vetëm programi ynë zhvillimor”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se vetëm LDK mund të zbatojë reforma të thella ekonomike, mund të zbatojmë politika ekonomike efektive dhe mund ta forcojmë shtetin ligjor.

“Do të krijojmë kushte për rritje ekonomike dhe investime të brendshme dhe të jashtme. Qeverisjen tonë do ta udhëheqim në bazë të këtyre parimeve: rritje të zhvillimit ekonomik të bazuar në sektorin privat, për dallim nga ajo që deri më tani është bazuar në sektorin publik. Do të forcojmë iniciativën private, konkurrencën e tregut të lirë dhe tregut të hapur. Qeveria do të jetë rregullator i ekonomisë dhe përfitues do të jenë të gjitha bizneset, do të përmirësohet mjedisi afarist dhe do të rriten kompetencat e autoriteteve lokale në mbështetje të bizneseve”, ka shtuar Mustafa.

Ai ka nënvizuar se në aspektin e politikës fiskale mbledhja e tatimit do të bëhet brenda vendit, do të bëhet përshkallëzimi i tatimit në vlerën e shtuar, do të ulet pragu i regjistrimit të TVSH-së nga 50 mijë në 30 mijë euro qarkullim, përkohësisht do të pushojnë tatimet për firmat investuese, ndërsa do të bëhet zvogëlimi i ekonomisë joformale.

“Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme do t’ua përgjysmojmë tatimin nga 9% në 4.5%, do të krijohet fondi investiv nga fondet e privatizimit, që do të shfrytëzohet për bashkëfinancimin e projekteve në prodhim, do të hapin inkubatorët në zonat e biznesit dhe do të rritet efikasiteti i drejtësisë në mbrojtjen e investitorëve. Do të eliminojmë barrierat ligjore dhe do ta zvogëlojmë burokracinë dhe do të hiqet”, ka thënë kreu i Lidhje Demokratike.

Sipas Mustafës, afër 60% e popullatës së Kosovës është rurale dhe deri në 20% e prodhimit kombëtar bruto të Kosovës është nga bujqësia. “Kosova nuk i plotëson nevojat ditore me produkte ushqimore. Rreth 80% e qumështit dhe 60% e mishit dhe miellit importohet. Çdo vit, i harxhojmë rreth 600 milion euro në importe të produkteve bujqësore.

"Ne do të bëjmë promovim e zinxhirit prodhues: nga prodhimi primar bujqësor, tek procesimi, ruajtja dhe tregtimi me produkte bujqësore, do të trefishojmë buxhetin për bujqësi, do të bëhet subvencioni i plotë i litrit të qumështit, subvencionimi i plotë i kamatave për kreditë bujqësore, do të bëhen investimet në pika grumbulluese për produkte bujqësore dhe blegtorale”, ka thënë ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)