LDK pranon vendimin e KQZ-së
Prishtinë, 7 shkurt - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se e pranon Vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve nacionale.
Krahas kësaj, LDK-ja në komunikatë ka deklaruar edhe një herë vlerëson se këto zgjedhje kanë qenë të pandershme dhe jo demokratike.
Po ashtu LDK i quan zgjedhjet e manipuluara dhe të përshkuara me vjedhje masive të votës së qytetarëve si dhe me shkelje të ligjit dhe të kodit të mirësjelljes nga kryeministri i shkarkuar dhe lideri i PDK-së, me premtimet dhe vendimin e paligjshëm për rritjen e pagave gjatë procesit zgjedhor
\"Vlerësojmë se, përpos zgjidhjes së disa lëshimeve dhe problemeve teknike, procedurat e zhvilluara pranë organeve të parapara me Ligj, KQZ, PZAP dhe Gjykatës Supreme, nuk kanë arritur të sigurojnë legjimitetin e këtyre zgjedhjeve, duke pasur parasysh përmasat e gjera dhe mënyrat e shumta të manipulimeve të votës së qytetarëve në tërë territorin e Kosovës\", thuhet në njoftim.
Dobësitë e manifestuara në këto zgjedhje sipas LDK-së e vënë në dyshim legjimitetin dhe besueshmërinë e institucioneve që dalin nga këto zgjedhje: të Presidentit, të Kuvendit dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
\"Burim i këtyre problemeve dhe dobësive, përpos manipulimeve nga Partia Demokratike dhe Qeveria e shkarkuar, ka qenë edhe sistemi zgjedhor dhe legjislacioni në fuqi, që duhet të ndryshohen sa më shpejt dhe të hapen rrugë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta, të cilat do tua kthenin legjimitetin dhe besueshmërinë institucioneve kushtetuese të Republikës së Kosovës.\"