LDK përshendet vendimin për atuobusët
Prishtinë, 18 maj - Degët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë përshëndesin miratimin e garancionit për 51 autobusët e trafikut urban në Kuvendin Komunal të Prishtinës, me propozim të asamblistëve të LDK-së, përkundër përpjekjeve të kryetarit Ahmeti që ta dështoj këtë projekt me synim të shfrytëzimit elektoral.
LDK-ja përgëzon asamblistët e saj për vendosmërinë që të jenë në shërbim të qytetarëve duke mos iu nënshtruar metodave të pandershme të drejtuesve të Komunës.
Është me rëndësi që me këtë hap u respektuan ligjet e Republikës dhe që LDK-ja nuk lejoi që Shpend Ahmeti dhe njerëzit e tij të armatosur në Komunë, të shkelin ligjet e shtetit, nga i cili marrin rrogë e nuk e njohin, ia përdhosin flamurin dhe simbolet shtetërore dhe e sulmojnë me fjalë dhe me molotovë e gurë.
LDK-ja nuk mund të mos reagoj edhe ndaj gënjeshtrave të kryetarit Ahmeti në Kuvendin Komunal.
Me këtë rast, LDK e pyet Shpend Ahmetin:
1. Se a do të vazhdojë ta bllokojë qytetin me qëllim të krijimit të një kauze fiktive për përfitime elektorale në zgjedhjet e ardhshme?
2. A do të vazhdojë ta heq çdo flamur të Kosovës, të cilin e konsideron vetëm pëlhurë, nga çdo shtizë në kryeqytet?
3. A do ti lërë pa ngrohje edhe këtë vit objektet banesore në të gjitha anët e Prishtinës, për shkak se duhet të merret me çështje rajonale e ndërkombëtare?
4. A do ti lerë pa ujë banorët e Prishtinës, pasi që po e injoron plotësisht çështjen e Fabrikës së Ujit?
5. A do të vazhdojë të dërgojë kifle të pangrënshme nëpër shkollat e kryeqytetit?
6. A do të vazhdojë ti jap tenderë kompanive që përkrahin partinë e tij, në të cilat kanë punuar drejtorët komunalë dhe ku ju punojnë ende familjarët e tyre?
7. Kur do të fillojë të shtrojë së paku një rrugë si duhet, të përfundoj një çerdhe, e jo të përfitoj nga çerdhet e ndërtuara nga ministritë dhe donatorët e huaj?
8. A do të rregullojë ndonjë kanalizim dhe a i ka harruar premtimet që ka dhënë për parkingje, duke e kolapsuar qytetin në këtë aspekt?
9. A do të vazhdojë ta sabotojë Ligjin për Prishtinën përkundër përkushtimit të plotë të Qeverisë dhe kryeministrit për ta proceduar në përputhje me kërkesat e Komunës dhe në shërbim të qytetarëve?
10. A do të vazhdojë ti mbajë në poste drejtuese njerëzit e armatosur, që udhëhoqën sulmin mbi stacionin policor, dogjën makina zyrtare e private, ideuan e realizuan sulme mbi institucionet e shtetit për muaj të tërë?
Këto janë vetëm 10 nga mbi 300 dështimet e identifikuara gjatë tre vjetëve të udhëheqjes skandaloze të Ahmetit me Prishtinën.
Të gjitha këto, janë rezultat i përpjekjeve të grupit të tij politik, që pas dështimit të kauzave fiktive në nivel qendror në emër të të cilave tentuan zhbërjen e shtetit, tash po përpiqen të sabotojnë Prishtinën për të ndërtuar një kauzë tjetër fiktive, me qëllim të përftimeve elektorale.