LDK përmbyll me sukses procecin e zgjedhjeve të brendshme
Prishtinë, 21 korrik - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Isa Mustafa, në vazhdën e takimeve me degët e partisë, dje pati takime pune me kryesitë e reja të degëve të LDK-së në Gjakovë dhe në Pejë dhe me kryetarët e nëndegëve.
Në këto takime, Kryetari Mustafa i përgëzoi kryesitë e reja të këtyre degëve për besimin që kanë marrë nga anëtarësia e gjerë për ti udhëhequr këto degë.
Lidhja Demokratike e Kosovës po e përmbyll me sukses procecin e zgjedhjeve të brendshme, i cili dëshmoi edhe një herë se LDK-ja është parti që i respekton me përpikëri procedurat legale e demokratike, të cilat ia mundësojnë secilit anëtar të kandidojë dhe të zgjedhet në strukturat e partisë, tha Kryetari Mustafa.
Po ashtu, ai ripërsëriti vendosmërinë e LDK-së për ta vazhduar ristrukurimin dhe reformimin e saj, me qëllim që LDK-ja të fuqizohet edhe më tej dhe tu përgjigjet kërkesave dhe pritjeve të anëtarësisë, po edhe të mbarë qytetarëve të vendit.
LDK-ja është parti e hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët, në kuadër të programit dhe të frymës sonë politike rugoviane, mund dhe duan të japin kontributin e tyre qytetar e profesional për progresin e vendit, pohoi Kryetari Mustafa.
Gjithashtu, ai vlerësoi se LDK-ja, në proceset që po kalon, është freskuar me shumë anëtarë të rinj, që kanë arritur rezultate të rëndësishme në fushat e tyre profesionale dhe me ekspertizën e tyre LDK-së i sjellin cilësi dhe vlera të reja.
Duke i pasur parasysh këto zhvillime pozitive përbrenda tërë strukturave të partisë, nga aktivet deri në Këshillin e Përgjithshëm dhe në Kryesi, Kryetari Mustafa shprehu besimin e plotë se LDK-ja shumë shpejt do të marrë vendin e saj të natyrshëm në skenën politike dhe pashmangshëm do të jetë sërish udhëheqëse e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ne do ti japim vendit institucone që qeverisin në mënyrë profesionale dhe të përgjegjshme, institucione që e respektojnë ligjin dhe japin llogari para qytetarëve, tha Kryetari Mustafa.