LDK: PDK sinkronizon konkurset e punësimeve
Prishtinë, 28 maj - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ngre edhe një herë shqetësimin ndaj tendencave në rritje të qeveritarëve në largim për përdorimin në mënyrë të paligjshme të institucioneve publike dhe shtetërore në funksion të fushatës partiake.
Ashtu sikurse gjatë tërë qeverisjes së saj, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) sipas LDK-së po vazhdon ti trajtojë institucionet e shtetit dhe pasurinë e qytetarëve si pronë partiake dhe private.
"Nëpër ministritë e qeverisë në largim, gjatë muajve të fundit, por me intensitet më të shtuar ditëve të fundit, në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret e brendshme, janë bërë emërime zyrtare, gradime, janë krijuar dikastere të reja dhe janë përgatitur lëvizjet e kuadrove në to, si dhe janë krijuar pozita për punësime të reja."
"Të gjitha këto lëvizje janë bërë në kuadër të një fushate kushtëzimesh ndaj shërbyesve civilë dhe qytetarëve të interesuar për punpsim për të siguruar votat e tyre dhe familjeve të tyre për PDK-në", theksoi LDK.
LDK i konsideron të gjitha këto shkelje të ligjit dhe kërkon nga organet mbikëqyrëse, të ndërhyjnë për ta ndërprerë këtë praktikë. Kurse, paralajmëron të gjithë shkelësit e ligjit se do të përballen me drejtësinë për të gjitha shkeljet që kanë bërë dhe mund të bëjnë deri sa tia dorëzojnë detyrën qeverisë së re.
Po ashtu, Lidhja Demokratike e Kosovës shprehë shqetësimin se në kundërshtim me ligjet dhe normat tjera, Policia e Kosovës, më datë 26 maj 2014, nëpër disa të përditshme, ka shpallur një konkurs për punësimin e pjesëtarëve të rinj të Policisë së Kosovës. Afati i aplikimit është caktuar deri më datën 9 qershor 2014. Kurse, në konkurs nuk është specifikuar numri i pjesëtarëve që do të pranohen në Policinë e Kosovës.
LDK kërkon nga Policia e Kosovës të bëjë publike me cilin plan valid pune të saj janë paraparë punësime në këtë periudhë, pikërisht në datat e fushatës zyrtare për zgjedhjet e përgjithshme, sa është planifikuar të jetë numri i atyre që do të pranoheshin në punë si me çfarë arsyetimi është shpallur konkursi për pranimin e policëve të rinj në Prishtinë, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut, Prizren, Gjilan dhe Ferizaj ?
Këto kërkesa, LDK i parashtron për shkak se, bazuar në infomacionet që ka, në mungesë të specifikimit të numrit të kandidatëve që do të pranohen, janë përhapur informata sikur në Policinë e Kosovës, nga ky konkurs do të pranohen mbi 300 policë të rinj.
Bazuar në përvojën mashtruese të PDK-së gjatë tërë qeverisjes, dhe faktit se PDK kontrollon institucionet, përfshirë Policinë e Kosovës, LDK ngre shqetësimin se pikërisht kjo situatë ka filluar të përdoret nga strukturat e kësaj partie për të kushtëzuar aplikantët.
LDK u bën thirrje qytetarëve të Kosovës të mos bien pre e këtyre përpjekjeve tinëzare për manipulim me nevojën e tyre për punësim dhe të mos u besojnë premtimeve të sekserëve të mundshëm të PDK-së dhe Hashim Thaçit.
Qytetarët e Kosovës tashmë po binden se LDK ka pasur të drejtë që ka kritikuar manipulimin e PDK-së dhe kryeministrit në largim Hashim Thaçi me rritjen e pagave për punonjësit e sektorit civil. Punonjës të këtyre institucioneve tani po përdoren nëpër spotet reklamuese të PDK-së dhe Hashim Thaçit, në mënyrë të padenjë, duke u detyruar të zbulojnë të ardhurat e tyre personale, që me ligj mbrohen si sekret afarist. Kjo është shpërfaqje e motivit real të Hashim Thaçit dhe PDK-së që nëpërmjet rritjes së pagave nga buxheti i shtetit, të përfitojë vota nga qytetarët e Kosovës.
LDK është e bindur se këto përpjekje të PDK-së dhe Hashim Thaçit do të rezultojnë të dështuara, sepse qytetarët e Kosovës janë të dinjitetshëm dhe do të reagojnë kundër kësaj qasjeje ndaj tyre.