LDK pa leje në Prishtinë
Prishtinë, 6 prill - Asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje! në Prishtinë, Gëzim Sveçla dhe Arianit Beqiri, kanë mbajtur konferencë për media në lidhje me ndërhyrjet pa leje në selinë Lidhjes Demokratike te Kosovës.
Asamblisti Beqiri, tha para gazetareve se pas kërkesës së grupit tonë për qasje në dokumentet publike dhe vonesave nga organet përkatëse, dje ka pranuar një e-mail me përgjigjen për ligjshmërinë e renovimit të selisë qendrore të LDK-së në Prishtinë, në kompleksin, te hapësira “Qafa”, ndërhyrjet e këtij subjekti në kryeqytet edhe kësaj radhe janë të jashtë ligjshme.
Shkeljet procedurale të subjektit në fjalë janë si ne vijim:
Pala nuk ka pasur pëlqimin e banorëve-pronarëve të njësive banesore të ndërtesës kolektive ku janë kryer punimet;
Muret e jashtme, pra ku është intervenuar, shkallët, korridoret dhe hapësirat tjera të përbashkëta në bashkëpronësi të banoreve duhet të ketë paraprakisht pëlqim edhe nga banorët;
Vendimi për refuzim është i vlefshëm edhe nëse ai është nxjerr jashtë afatit përderisa pala nuk ka shfrytëzuar mjetet juridike, siç është ankesa për kundërshtimin ndaj këtij vendimi dhe ndonjë organi tjetër e që në këtë rast është Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, e që nuk e ka shfuqizuar të njëjtin.
Në një përgjigje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit thuhet: Ajo seli nuk gjendet brenda Qendrës Historike të Prishtinës, por gjendet në zonën e mbrojtur të kësaj qendre. Në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë nuk është pranuar kërkesa për pëlqim për realizimin e intervenimit në këtë ndërtesë.
Ndërsa asamblisti Sveçla tha si Lëvizje Vetëvendosje! këtë shqetësim e kemi ngritur edhe në Kuvendin Komunal të Prishtinës, përsëri asnjë veprim. Përsëri retorikë boshe nga ekzekutivi.
Në këtë rast Komuna e Prishtinës dhe kryetari i saj Përparim Rama u dorëzuan para Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pra, partia që e quan veten institucionaliste nuk i ka përfillur ligjet dhe nuk i ka respektuar vendimet e institucioneve.
Ne e dinim se ky është modeli i qeverisjes së LDK-së, e kemi parë shumë herë deri më tani, në shumë qytete të Kosovës, e gjendja e përgjithshme urbanistike në Prishtinë është vula më e mirë e modelit qeverisës së saj, por nuk besonim që një arkitekt i cili vazhdimisht e ka potencuar përgatitjen dhe përvojën e tij profesionale në Evropë, do të mbyllë sytë para një akti të tillë të shëmtuar e antiligjor që ka ndodhur në qendër të kryeqytetit e për më tepër nga subjekti që e ka kandiduar vetë atë.
Pas këtij mosveprimi ndaj LDK-së, cili është arsyetim për t’ia ndalur punën cilitdo qytetar që punon pa leje e pa pëlqim?
Ne kërkojmë nga Kryetari, që sa më parë, qysh sot, të inicioj procedurat e nevojshme e të parapara me ligj për dënimin e personave përgjegjës që kanë bërë shkelje ligjore duke rindërtuar pa leje, kthimin e objektit në gjendjen që ka qenë dhe po ashtu të merren masat e nevojshme kundër zyrtarëve të inspeksionit që nuk e kanë kryer punën e tyre për të cilën paguhen nga taksat e qytetarëve të Prishtinës.