LDK nuk përjashton mundësinë e koalicionit me Vetëvendosjen
Prishtinë, 26 mars - Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sali Asllanaj, i ka bërë thirrje opozitës të kthehet në Kuvend.
Në këtë intervistë për Epokën e re ai ka vlerësuar se është një pamje jo e këndshme në Kuvendin e Kosovës meqë po mungon debati i mirëfilltë në mes të pozitës dhe opozitës.
I bëj apel opozitës të kthehet në Kuvend, sepse aty ka hapësirë të mjaftueshme ti prezantojë të gjitha idetë. Natyrisht nuk është e përjashtuar edhe forma që përmes protestave të prezantohen qëllimet politike, por Kuvendi është vendi ku debatohet dhe ngërthehen argumentet e palëve të ndryshme, ka deklaruar Asllanaj.
Ai ka thënë se pamjet e gazit lotsjellës në Kuvend dhe sulmet ndaj institucioneve shtetërore me koktej molotovi nuk janë imazhe pozitive për vendin tonë.
Sipas Asllanajt, kriza politike do të tejkalohet me sukses vetëm duke u respektuar rregullat demokratike dhe ligjet.
Opozita e ka një synim, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Kjo po shndërrohet në një precedan që çdoherë pala e pakënaqur, në këtë rast humbësit e zgjedhjeve, pretendojnë zgjedhje të parakohshme. Prandaj, ky model nuk është shumë i pëlqyer, sepse krijon destabilitet të përhershëm të institucioneve të Republikës së Kosovës, është shprehur ai, duke shtuar se kohët e fundit ka shenja të përçarjes së opozitës së bashkuar.
Kjo është çështje e brendshme e partive opozitare, megjithatë në horizont duket një moskoordinim i proceseve të përbashkëta, sepse kohët e fundit ka pasur vendime të njëanshme të AAK-së dhe të Nismës, të cilat në njëfarë forme janë distancuar prej akteve të dhunës. Në këtë aspekt, duket një mospërputhje e koncepteve politike sepse qëllimet i kanë të njëjta, por mjetet për ti realizuar dallojnë, ka theksuar Asllanaj.
Ai i është kundërpërgjigjur edhe sekretarit të Vetëvendosje!-s, Dardan Molliqajt, sa i përket një koalicioni të mundshëm LDK-VV.
Asllanaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen LDK-ja të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
/Epoka e Re/