LDK nuk jep shenja të reformës
Prishtinë, 10 qershor - Lidhja Demokratike e Kosovës deri të dielën në orën 19:00 fuqishëm besonte se do t\'\'i fitojë zgjedhjet e 8 qershorit. Pas kësaj ore nuk u pa gjëkundi deri të hënën pasdite kur kreu i saj Isa Mustafa e mblodhi kryesinë e partisë për të diskutuar rezultatet.
Në momentin që u bë publik njoftimi për mbledhje, nisën edhe raportimet nëpër media se Mustafa mund të ofrojë dorëheqje nga drejtimi i partisë.
Por në fakt pas takimit doli diçka tjetër. Isa Mustafa as që dha sinjale se po mendon dorëheqjen pas humbjes me një dallim prej 35 mijë votash ndaj PDK-së.
Kemi punë shumë më të rëndësishme me bo tash, do të punojmë do të angazhohemi në mënyrë që ti kryejmë detyrat tona, zgjedhjet i kemi në vjeshtë të këtij viti, dhe çështja e zgjedhjeve është çështje tjetër, ka deklaruar Mustafa.
Mirëpo, kur pyetet se pse nuk do të japë dorëheqje, ai gjen një arsyetim interesant; thotë se subjekti që e drejton është më i madhi në vend.
Ne si parti kemi dalë, krahasuar me PDK-në, parti e parë, mirëpo meqenëse atje kemi një koalicion, rezultatet janë të tilla, prandaj mbetet që të presim certifikimin e rezultateve dhe të reflektojë më mirë, ka thënë mes tjerash Mustafa.
/Tribuna/