LDK nuk e mbështet Presidentin që të zhvillojë dialogun me Serbinë
Prishtinë, 25 qershor - Lidhja e Demokratike e Kosovës ka deklaruar se si parti beson se dialogu është e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet me fqinjit tonë verior, Serbinë.
Nënkryetari i LDK-së Avdullah Hoti ka thënë së përshëndesin angazhimin e miqve tanë ndërkombëtar në këtë proces, BE-së dhe SHBA-së.
Hoti ka thënë se sipas Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës është organi i vetëm që vendos se kush e përfaqëson Kosovën në dialog me Serbinë.
"Kuvendi i Kosovës nuk ka vendosur ende për këtë çështje, pasi platforma për dialog me Serbinë, që ishte në rend ditë në Kuvend, u tërhoq nga Qeveria, ndërkaq, platforma e vitit 2011 e autorizon Qeverinë të dialogojë me Serbinë", theksoi Hoti.
Rrjedhimisht, Presidenti Thaçi sipas LDK-së nuk ka asnjë autorizim për të negociuar në emër të qytetarëve të Kosovës.
Kështu që sipas Hotit çdo marrëveshje që arrihet në Bruksel mund të jetë vetëm marrëveshje e tij private, por jo në emër të Kosovës.
LDK-ja nuk e mbështet Presidentin që të zhvillojë dialogun me Serbinë. Ai sipas Hotit nuk e përfaqëson vullnetin politik të Kosovës.
LDK-ja, si partia kryesore në vend, është e gatshme të marrë përsipër këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.
"Këtë përgjegjësi ne do ta marrim përmes votës së qytetarëve, në zgjedhje të lira", ka pohuar në fund Hoti.