LDK: Nuk do të bisedojmë për veriun e Kosovës
Prishtinë, 20 shtator - Pak orë pas publikimit të lajmit që lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka pranuar se duhet të bisedohet për veriun, vjen reagimi i deputetes së kësaj partie, Hykmete Bajrami.
Ajo ka deklaruar se LDK-ja nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket dialogut për veriun e vendit dhe lajmin e postuar nëpër media e quajti spekulim.
Lidhja Demokratike e Kosovës është kundër bisedimeve për veriun dhe nuk do të jetë asnjëherë pjesë e dialogut për këtë pjesë të Kosovës, ka thënë.
LDK-ja konsideron se Veriu është çështje e brendshme e Kosovës dhe se për këtë çështje nuk duhet të bisedohet me Serbinë.
LDK-ja konsideron se mund të bisedohet me qytetarët e Republikës së Kosovës në Veri, për tua sqaruar atyre përfitimet që sjell sundimi i rendit dhe i ligjit dhe funksionimi i institucioneve të Kosovës edhe atje. Ky është qëndrimi që ka shprehur edhe kryetari Mustafa dje në Londër.
LDK-ja do të mbetet konsekuente në qëndrimet e veta dhe e përgjegjshme në raport me elektoratin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.