LDK nominon Mustafën, PDK kërkon interpretimin e Kushtetueses
Prishtinë, 17 korrik - Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, gara kryesore është se cili është grupi më i madh parlamentar, ai i Partisë Demokratike të Kosovës, apo ai i koalicionit Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Përcaktimi i Grupit më të madh parlamentar i jep të drejtën të njëjtit grup që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Rreth kësaj pike ka shumë përplasje dhe mospajtime.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se për një kontest kur dy a më shumë subjekte mendojnë se kanë të drejtë duhet të zgjidhet në Gjykatën Kushtetuese.
Sapo të përfundojë kjo seancë, PDK do ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë që, me shumë vërejtje në mënyrën se si deputetja e PDK-së, Flora Brovina po udhëheq seancën, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka dalë në foltore.
Ajo është thirrur në rendin e ditës që kishte përcaktuar Kryesia e kaluar e Kuvendit, ku koalicioni paszgjedhor LDK, AAK dhe Nisma njihej si grupi më i madh parlamentar.
Në emër të këtij rendi të propozuar, deputetja Osmani propozoi liderin e LDK-së, Isa Mustafa për kryetar të Kuvendit. Por, kryesuesja Brovina nuk ka lejuar që të kalohet në procedurën e votimit dhe ka shpallur një pauzë pa limit kohor.