LDK, në dilemë për për rezolutën
Prishtinë, 16 tetor - Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka një qëndrim konkret përsa i përket projekt/rezolutës të propozuar nga PDK për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Zyrtarë nga kjo parti, të cituar nga RTK, deklarojnë se qëndrimin do ta bëjnë publik të enjten në seancën parlamentare. Por për momentin ata vlerësojnë se kjo rezolutë nuk ka të bëjë me bisedimet dypalëshe, por me një qasje të re në aspektin e komunikimit me Serbinë.
Sipas deputetit Arben Gashi, në këtë mënyrë Kosova po i kërkon falje Serbisë, në vend që të ndodhë e kundërta dhe për rrjedhojë propozimi është i parakohshëm.
Propozimi është i paqartë dhe i parakohshëm, sepse një propozim për një marrëveshje të përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, i njëanshëm, besoj se është i ngutur dhe i panevojshëm, ka thënë Gashi.
Kjo, sepse agresori nuk është Kosova por Serbia dhe kjo e fundit duhet ti propozojë Kosovës një traktat të përmirësimit të marrëdhënieve, për shkak të represionit dhe genocidit që ka bërë ndaj nesh, ka sqaruar deputeti i partisë më të madhe opozitare.
Projekt/rezoluta u propozua nga PDK-ja dhe partnerët e koalicionit qeverisës, ndërkohë që është mbështetur edhe nga partia tjetër opozitare AAK.
Në pikën e parë të saj parashikohet që Kuvendi i Kosovës të mbështesë proçesin për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane, në interes të zgjidhjes së problemeve mes të dy shteteve, përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe axhendës europiane të tyre.