LDK: MPJ-ja i referohet njohjes nga një shtet joekzistent
Prishtinë, 25 janar - Gjatë debatit në emisionin 10 minuta të RTK-së të datës 23 janar 2012, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Ibrahim Gashi, disa herë i referohej njohjes sipas tij de facto nga shteti San Tomeo.
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson së është joserioze që udhëheqës të lartë të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës të mos kenë as njohuri bazike për punën të cilën ata e bëjnë, përfshirë emrat e shteteve të cilat e kanë apo nuk e kanë njohur Kosovën.
LDK ka thënë s7 San Tomeo nuk ekziston si shtet dhe as si anëtare e Kombeve të Bashkuara, prandaj, është e pamundur që Kosova të njihet nga një shtet joekzistent.
Për më tepër, në buletinin e dytë të MPJ-së të titulluar Kosovos New Diplomat në faqen 2, publikohen zyrtarisht emrat e gjithë të propozuarve për ambasadorë të rinj.
Publikimi zyrtar nga MPJ i këtyre emrave sipas LDK-së përbën shkelje të procedurave të emërimit të tyre, sepse nuk respektohet parimi i konfidencialitetit (Neni 7.2, 7.3, te Ligjit Nr. 03/ L-207), sipas të cilit emrat e të propozuarve nuk publikohen deri në marrjen e agremanit nga shteti pranues.
\"Ne i bëjmë thirrje edhe një herë MPJ-së dhe Qeverisë që ti ndalë gafet diplomatike dhe publikimin e emrave të shteteve që kanë dhënë sinjale pozitive për njohje. Praktika ka dëshmuar se çdoherë kur janë publikuar emrat e shteteve që kanë synuar njohjen e Kosovës së shpejti, kjo ka ndikuar në mobilizimin e menjëhershëm të diplomacisë serbe dhe të miqve të saj për ta parandaluar atë njohje\", thuhet në reagimin e LDK-së.
Po ashtu, LDK i bën thirrje Qeverisë që ti respektojë ligjet e aplikueshme për emërimin e ambasadorëve të rinj, si dhe ti respektojë praktikat diplomatike për këtë proces.
Kjo sjellje e Qeverisë sipas LDK-së e dëmton rëndë interesin e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.