LDK: Me krenari vazhdojmë rrugën e Rugovës
Prishtinë, 21 janar - Në përvjetorin e shtatë të shkuarjes në amshim të presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Dega III e LDK-së Presidenti Rugova, ka bërë homazhe te varri i tij në Velani si dhe ka vizituar familjen Rugova.
Kryetari i kësaj dege, Arsim Janova, tha se kemi ardhur ta ndajmë dhimbjen për humbjen dhe krenarinë që e patëm me ju familje e nderuar.
Ai është në çdo zemër, sepse e trasoi rrugën drejt integrimeve euroatlantike. Me krenari do ta vazhdojmë rrugën e tij, sepse vepra e tij e madhe na jep forcë. Edhe pse nuk është fizikisht, ai me ne është kudo. Si familje e tij jeni të nderuar dhe shumë të respektuar, tha Janova.
Ai tha se Dega III Presidenti Rugova, do jetë pjesë e të gjitha aktiviteteve të sotme për presidentin Rugova.
Edhe Agim Krasniqi, njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt Rugovës, me pietet foli për jetën dhe veprën e tij. Ai tha se presidenti Rugova ka buruar nga populli dhe se njerëzit pavarësisht prej bindjeve të tyre politike, filozofinë e tij e kanë udhërrëfyes.
Edhe kur temperaturat shënonin nën 20 gradë celsius, njerëzit i kanë bërë nderime. Edhe kundërshtarët e tij tani po e kuptojnë filozofinë e tij. Me mungesën e tij, çdo gjë po degradohet, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi falënderoi familjen Rugova, që degën emblematike që mbanë emrin e tij e pret çdo herë me kënaqësi, ndërsa dega tek kjo familje gjen inspirim.
Kurse, zonja e Rugovës, Fana, e pa përmbajtur nga lotët dhe emocionet, vetëm ka falënderuar Degën III të LDK-së Presidenti Rugova, për vizitën dhe emrin e Presidentit që mbanë kjo degë.