LDK mbushi 23 vjet
Prishtinë, 23 dhjetor - Kryetarit Isa Mustafa në shënimin e 23-vjetorit të themelimit të LDK-së, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës sot mbush 23 vjet të themelimit të saj dhe se me shpejtësi të jashtëzakonshme, LDK-ja u bë qendër e mendimit nacional dhe politik për popullin e Kosovës.
\"Më 23 dhjetor 1989, në Prishtinë, prijësi historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i partisë së parë demokratike dhe properëndimore në këtë pjesë të Evropës Juglindore\", ka pohuar ai.
Ajo i mobilizoi qytetarët e vendit me urtësi e largpamësi përreth platformës së vet politike, e cila tashmë ishtë bërë platformë e gjithë Kosovës: Kosova e pavarur, demokratike, e inkuadruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vizioni i LDK-së u bë frymë e mendimit dhe veprimit politik në Kosovë dhe kudo ku jetonin shqiptarët në ish-Jugosllavi.
LDK-ja dhe Presidenti Ibrahim Rugova e ndërkombëtarizuan çështjen e Kosovës, duke e bërë atë temë të rëndësishme në të gjitha kancelaritë vendimmarrëse të botës.
\"Politika paqësore, humanizmi i rrallë dhe urtësia karakteristike e tij, bënë që Presidenti Rugova ti kishte përherë dyert e hapura dhe të mirëpritej me nderimet më të larta në Bruksel e në Uashington, në Londër e në Berlin, në Romë e në Vjenë, në Paris e në Bernë\", ka theksuar ai.
Duke shtuar se Rugova, lideri i brishtë e karizmatik i një vendi ende të panjohur ndërkombëtarisht, u bë ikonë e një fryme të panjohur më parë në këtë pjesë të Evropës e të botës, e frymës së dashurisë e të paqes mes njerëzve dhe kombeve, ndonëse rajoni po gjëmonte nga armët dhe po vuante nga krimet e tmerrshme që kryenin forcat serbe kundër popujve të tjerë, sllovenëve, kroatëve dhe sidomos boshnjakëve, të cilët nuk dëshironin tu nënshtroheshin ambicieve të egra të Beogradit zyrtar.
\"Rugova predikonte paqen në një mjedis e në një kontekst që smund ta akceptonte gjerësinë e mendimit të tij politik, që smund ta pranonte thellësinë e humanizmit të tij, i cili buronte nga njohja e themeltë e traditës sonë etnike dhe nga njohja e mendimit më të avancuar politik, kulturor e shpirtëror të botës së lirë e demokratike perëndimore. Porse, Rugova, si askush tjetër përpara dhe pas tij, u kuptua, u admirua dhe u pranua nga populli i Kosovës, si dhe nga bota e qytetëruar, e cila pa te Presidenti Rugova njeriun e dijes e të urtësisë intelektuale e politike, krejtësisht të pazakonshëm për mendësinë luftënxitëse ballkanike\", ka pohuar ai.
Sipas tij Rugova ishte njëri ndër presidentët e vetëm jo vetëm të rajonit, por të gjithë botës, që mund të trokiste në çdo kohë në Selinë e Shenjtë, ku e priste me dashamirësi të veçantë Papa Gjon Pali II, miku i tij personal, miku i popullit të Kosovës dhe i lirisë universale.
Presidenti Rugova u bë ikonë e Kosovës moderne dhe e synimeve të saj për rikthim përfundimtar në gjirin e familjes së madhe të vendeve të prosperuara europerëndimore, prej të cilave ishte shkëputur përdhunshëm dhe padrejtësisht shekuj me radhë.
Lidhja Demokratike e Kosovës kaloi me sukses një proces të gjatë dhe të detajuar të reformimit të brendshëm, nga i cili dolën akte të rëndësishme për profilizimin tonë të mëtejmë si parti e qendrës së djathtë, si dhe për të ardhmen e partisë sonë.
\"Më 3 mars 2012, LDK-ja mbajti Konventën e saj të parë të punës, në të cilën, me shumicë absolute votash, u miratua Program i ri politik i LDK-së, esenca e të cilit bazohet në programet e mëparshme politike të saj. Kjo, për faktin se LDK-ja është parti e esencave, është parti e vlerave të dëshmuara, që di ta vlerësojë të shkuarën, traditën, por që, njëkohësisht, ka ide të qarta se ku dëshiron të arrijë dhe çfarë dëshiron të bëjë për të ardhmen e këtij populli dhe të këtij vendi\", ka pohuar ai.
Sipas tij ky vit shënoj rrumbullakimin e një etape të rëndësishme të transformimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga një lëvizje gjithëpopullore e filluar në dhjetor të vitit 1989 në një parti politike, të profilizuar me program dhe orientim të qartë, karshi një spektri ende të padefinuar politik në Kosovë.
Gjatë gjithë periudhës së zhvillimit të saj, LDK-ja ka ruajtur dhe ruan frymën bazike të saj si vlerë e të gjithë atyre anëtarëve dhe veprimtarëve, të cilët i mbetën besnikë LDK-së, idesë, synimeve dhe vlerave të saj.
LDK-ja i vlerëson sot meritat dhe aktin e themeluesve të saj, por aq më tepër e vlerëson përkushtimin dhe besnikërinë e gjithë atyre anëtarëve, veprimtarëve, simpatizantëve dhe votuesve të saj, të cilët mbetën dhe janë gardianë të vlerave të saj.
LDK-ja u tregua se është parti e kohës, parti që iu prin aktualiteteve të Kosovës, se nuk ishte dhe nuk është parti për një përdorim; se është parti e cila sublimon vizionin e anëtarësisë së saj, e jo idetë fikse të atyre që në kohë të vështira e të padefinuara e lan në mes të rrugës.
LDK-ja është parti e cila vlerëson lart veprën e kryetarit të saj, dr. Ibrahim Rugova, veprën e të urtit dr. Fehmi Agani, të Xhemajl Mustafës, Enver Malokut e Nekibe Kelmendit e të shumë prijësve dhe anëtarëve të devotshëm të saj, të cilët deri në frymën e fundit punuan, madje edhe u flijuan për idealet e LDK-së dhe të Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike.
LDK-ja e çmon shumë punën dhe angazhimin e anëtarësisë dhe degëve të saj anekënd Kosovës, përkushtimin dhe devotshmërinë e tyre.
Fuqinë dhe vitalitetin e saj, LDK-ja më së miri po e tregon me anëtarësimin e shumë të rinjve, vajzave dhe djemve dhe shumë ekspertëve nga fusha të ndryshme.
Me aktin e hapjes së saj, me përqafimin e koekzistencës dhe bashkëjetesës së gjeneratave të ndryshme, LDK-ja jonë ka ardhmëri të sigurt.
Ne do ta marrim përgjegjësinë për qeverisje të mirë të vendit tonë, për qeverisje demokratike dhe evropiane.
Si rezultat i një pune shumëvjeçare, LDK-ja sivjet u pranua në familjen e Partive Popullore Evropiane.
Ne nuk e konsiderojmë këtë arritje vetëm të LDK-së, por të të gjithë Kosovës, sepse LDK-ja vërtet hodhi një hap shumë të rëndësishëm për vete si subjekt politik, por kjo ngjarje, po ashtu, është shumë e rëndësishme për të gjithë spektrin politik të Kosovës, pasi që ne, duke u bërë të parët pjesë e skenës politike evropiane, nisëm de facto integrimin e Kosovës në skenën politike evropiane.
Partitë Popullore Evropiane në gjirin e tyre sot përfshijnë 74 parti nga vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet e tjera evropiane të orientimit të qendrës së djathtë, ndërsa shumicën e deputetëve të Parlamentit Evropian e përbëjnë pikërisht anëtarët e këtyre partive.
Po ashtu, shumica e qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian sot udhëhiqen nga partitë e këtij orientimi politik.
\"Ne duam dhe punojmë që Kosova sa më shpejt të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane, pjesë e Këshillit të Evropës dhe e Bashkimit Evropian, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të jetësohen aspiratat e popullit të Kosovës për të qenë pjesë e barabartë në shtëpinë e vet të natyrshme.
Ne do ta shtyjmë përpara plotësimin e të gjitha kritereve që hapin rrugë për procesin e stabilizim-asociimit dhe të anëtarësimit tonë në BE\", ka pohuar ai.
Po kështu, ne do të vazhdojmë të kultivojmë frymën e miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilave, edhe nga ky solemnitet, u shprehim mirënjohjen tonë për ndihmën e jashtëzakonshme që i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës.
Do të veçoja se prej shumë vitesh, LDK-ja bashkëpunon me NDI (National Democratic Institute) dhe me Konrad Adanuer Stiftung në reformimin dhe demokratizimin e saj.
LDK-ja angazhohet për forcimin dhe avancimin profesional të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në mënyrë që ajo të jetë e aftë dhe e gatshme për tu bërë anëtare e Aleancës Veriatlantike, për të qenë pjesë e ushtrisë së madhe të popujve të bashkuar të lirisë perëndimore, të cilët, për shpëtimin e popullit të Kosovën nga gjenocidi serb dërguan në luftë bijtë dhe bijat e veta, në kohën kur ndihma e tyre për ne ishte më se e nevojshme, në fakt, ishte vendimtare.
LDK-ja ka qenë, është dhe do të mbetet parti e esencave, parti me frymë e me synime që burojnë nga interesat nacionale të vendit.
LDK-ja është parti e cila ka ide dhe program se si te tejkalohet ky kolaps zhvillimor i Kosovës, si të hapen perspektivat ekonomike të vendit, të hapen vende të punës për të rinj, të zvogëlohet papunësia dhe varfëria.
Koncepti ynë i zhvillimit bazohet në nxitjen dhe stimulimin e sektorit privat duke u kujdesur përherë për një qasje të integruar zhvillimore, pjesë e të cilës do të jenë edhe të papunët, të paaftit për punë, pensionistët dhe njerëzit me nevoja të veçanta.
Një shtet i cili nuk ka zhvillim, bëhet shtet i krimit dhe korrupsionit, shtet i cili në vend se të fabrikojë produkte dhe të mira për popullsinë fabrikon të burgosur dhe kriminelë.
Ne nuk e dëshirojmë një shtet policor, një shtet të ngulfatur nga oligarkia politike dhe strukturat parashtetërore.
LDK-ja do të luftojë për konceptin e shtetit, në të cilin demokracia do të ngrihet mbi baza ta zhvillimit ekonomik dhe social, në të cilin puna do të bëhet kriter i pasurisë e jo korrupsioni dhe abuzimi i parasë publike.
LDK-ja e di mirë se përvojat nga qeverisja me mentalitet dhe instrumente partiake ka qenë gjithnjë në dëm të qytetarëve.
Koncepti ynë është që shteti të qeveriset me ligj e me kushtetutë, që qasja në mjetet buxhetore duhet të jetë e barabartë për të gjithë njerëzit dhe të gjitha komunat, sepse tatimet dhe taksat nuk mblidhen për parti, por për shtetin, i cili u takon të gjithë qytetarëve. Ata që abuzojnë në emër të shtetit për interesa partiake dhe grupore, ata që e kanë kapur dhe po e mbajnë peng shtetin, po i bëjnë dëme të pariparueshme këtij vendi.
LDK-ja nuk mohon se problem i vendit tonë janë ligjet, të cilat duhet të ndryshohen dhe të reformohen. Por, LDK-ja është e bindur se, shumë me shumë sesa me ligjet, ky vend po ballafaqohet me moszbatim të rregullativës ligjore, me shkelje të hapur të saj dhe gjendje të papërgjegjësisë. Ne kemi iniciuar dhe do të përkrahim reformën zgjedhore, por reforma nuk do të sigurojë që të mos abuzohet procesi zgjedhor, ashtu si ndodhi në zgjedhjet e fundit, nëse nuk ashpërsohet përgjegjësia ligjore ndaj atyre që abuzojnë zgjedhjet dhe qeverisin me vota të abuzuara.
Ne presim, po ashtu, që edhe faktori ndërkombëtar në Kosovë të angazhohet shumë më shumë për sjellje ligjore mbi parime të demokracisë, e jo që objektiv kryesor të jetë stabiliteti politik, qoftë edhe i ndërtuar mbi mbushje industriale të kutive të votimit.
Sepse, një gjendje e tille po u jep kurajë atyre që erdhën me vota të vjedhura, me të cilët nuk pajtohemi kurrë, të na quajnë hiç më pak se antiamerikanë dhe antievropianë, ose njerëz me mentalitet të vjetër. Duhet tu bëhet e qartë se mentaliteti i ri në Kosovë nuk është mentalitet i vjedhjes dhe abuzimit dhe se demokracia evropiane dhe amerikane nuk meriton të abuzohet për interesa ditore.
LDK-ja ka kërkuar dhe kërkon zbardhjen e të gjitha vrasjeve me motive politike në Kosovën e pasluftës, por edhe të atyre që janë vrarë apo janë kërcënuar të vriten gjatë luftës. Njerëzit ndaj të cilëve janë bërë atentate, kanë qenë të shquar për vlera të larta njerëzore, profesionale e nacionale, vlera të cilat ata i kanë dëshmuar me vepra të përditshme në angazhimin e tyre qenësor për liri, pavarësi dhe demokraci në Kosovë.
Për fat të keq objekt i tentativës për atentat ishte edhe Presidenti Rugova, ndërsa ai rast nuk u zbardh sot e kësaj dite.
\"LDK-ja ka shprehur ofertën e saj për bashkëpunim të ngushtë me partitë e spektrit politik të qendrës së djathtë për zgjedhjet e ardhshme. Kemi marrë pajtueshmërinë parimore të disa subjekteve, me të cilat do të ndërtojmë ura bashkëpunimi, duke u respektuar reciprokisht dhe pa kushtëzime. Në zgjedhjet e ardhshme, LDK-ja do të luftojë të fitojë, ta formojë dhe ta udhëheqë qeverinë.
Ne do të qëndrojmë të hapur për bashkëpunim me spektrin politik, do të angazhohemi për një qeverisje të qëndrueshme, por barrën kryesore të fitores dhe të përgjegjësisë do ta marrim ne\", ka theksuar Mustafa.
Sipas tij do të qeverisim me kuadrat më të mira dhe më të besueshme që i kemi në parti, por edhe me ekspertë që çdo ditë po na bashkëngjiten dhe po i përqafojnë politikat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Domosdoshmërish do të krijojmë hapësirë më të madhe për gruan, e cila përfaqëson gjysmën e elektoratit dhe roli i së cilës është i pazëvendësueshëm në shoqëri. Ne duhet të synojmë një përfaqësim më të madh të gruas në parlament dhe në institucione nga ai që e kemi tani. Por, po ashtu, duhet të punojmë për përfshirje dhe hapje të forumeve dhe organeve të LDK-së për gratë, të rinjtë dhe të rejat.
LDK-ja do ndjek politika të kultivimit të marrëdhënieve të mira ndërshtetërore me fqinjët dhe me vendet e tjera në rajon dhe në botë. Ne shohim me interes edhe stabilizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por vetëm duke respektuar rregullimin tonë kushtetues, sovranitetin dhe integritetin territorial.
Si përfundim, duke jua uruar edhe një herë 23-vjetorin e themelimit të LDK-së, ritheksoj se Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti me funksionalitet të lartë, si parti me vlera të dëshmuara, do të angazhohet edhe më tej për përfshirjen e të rinjve dhe femrave në vendimmarrje, do të angazhohet për një Kosovë evropiane, paqësore e tolerante, në të cilën të drejtat e njeriut do të respektohen si kudo në Evropë.
\"Po e ripërsëris, këtu para jush, se LDK-ja do ta bëjë realitet, bashkë me qytetarët e vendit, që Flamuri i Dardanisë të jetë flamur zyrtar i Republikës së Kosovës, ndërsa himni i propozuar nga Presidenti Rugova, Kur ka ra kushtrimi nKosovë, të jetë himn i Republikës së Kosovës.
Ky është borxhi që ia kemi prijësit tonë të madh, Presidentit historik Ibrahim Rugova, njeriut që së bashku me LDK-në e projektoi dhe e themeloi Republikën e pavarur, sovrane dhe demokratike të Kosovës!\", ka theksuar Mustafa.