LDK - LVV dakordohen për temat në sektorin e sigurisë
Prishtinë, 31 tetor - Sot, në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje!, u mbajt takimi i radhës i grupeve punuese të Lëvizjes Vetëvendosje! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në këtë takum u diskutua për sigurinë e jashtme dhe të brendshme, procesin e vetingut, ligjin për shqyrtimin dhe verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme, trajtimin e krimeve të luftës dhe krijimi i mekanizmave shtetërorë për dokumentim e arkivim të krimeve të luftës në Kosovë, si dhe krijimi i një organi të posaçëm për hetime me qëllim të dekriminalizimit të institucioneve shtetërore.
Diskutimi sipas Vetëvendosjes u zhvillua në një frymë pozitive dhe shumë konstruktive. Për shumicën e çështjeve, u gjet pajtim i përbashkët. Grupet u dakorduan për detajizim edhe të disa çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë.
Ndërkaq Përfaqësuesi i grupit punues të LDK-së, Arben Gashi para gazetarëve, tha se kanë diskutuar mbi disa tema që kanë të bëjnë me sigurinë e brendshme dhe të jashtme, për sundimin e ligjit, vetingun dhe dekriminalizmin.
Teksa për gjithë këto tematika theksoi se ka pasur dakordancë.
“Temat që janë diskutuar për sigurinë e jashtme për ushtrinë, për sigurinë e brendshme, sundimin e ligjit, vetingun dekriminalizimin, për këto kemi një dakordim. Po ashtu, kemi diskutuar për ligjin për krime lufte, Ligjin për konfiskim të pasurisë së paarsyetuar”, tha ai.
Për qëndrimin e LDK-së karshi Gjykatës Speciale, Gashi tha se dhomat e posaçme të kësaj gjykatë duhet të vazhdojnë punën e tyre.
Takimi i radhës, do të mbahet të hënën, ku do të diskutohet për arsimin dhe shëndetësinë.