29 Prill 2024

LDK: Kryeminstri Thaçi po mundohet të manipulojë opinionin

Prishtinë, 20 shkurt - Lidhja Demokratike e Kosovës merr me shqetësim lajmin për kompromisin e bërë nga kryeministri Thaçi, që Kosova, në forumet rajonale, mos të përfaqësohet si Republikë, por në vend të kësaj të shtohet një fusnotë, e cila i referohet edhe Rezolutës 1244. LDK-ja beson fuqishëm se një qëndrim i tillë përfundimisht betonon neutralitetin ndaj statusit.

Kryeminstri Thaçi mundohet të manipulojë opinionin, duke theksuar se Kosova në të njëjtën kohë do të përfaqësohet me një fusnotë që përveç Rezolutës 1244 i referohet edhe në Mendimit Këshilldhënës të GJND-së dhe Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. LDK-ja konsideron se vetë pranimi që Kosova të paraqitet pa ‘Republikë’ dhe me fusnotë (me çfarëdo përmbajtje qoftë ajo) paraqet denigrim të pozitës kushtetuese të Kosovës si Republikë e pavarur dhe sovrane dhe e barabartë me shtetet e tjera.

LDK-ja beson se heqja dorë nga Republika paraqet heqje dorë nga elemente kushtetuese të shtetësisë dhe ky vendim mund t’i ndihmojë vetëm Serbisë në rrugën e saj drejt statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, ndërsa kompromisi, që është në dëm të Kosovës, po bëhet pikërisht për shkak se Serbia nuk pranonte të qëndronte në të njëjtat salla ku merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e Kosovës.

Kryeministri Thaci, rreth dy javë më parë, pati thënë se kurrë nuk do të heqë dorë nga përfaqësimi si ‘Republikë’, ndërkaq tani e konsideron përfaqësimin në këtë nivel si një ‘formulë dhe simbolikë të parëndësishme’. LDK-ja ia rikujton z.Thaçi se pikërisht për këtë Republikë, që ai e quan simbolikë të parëndësishme, populli i Kosovës sakrifikoi me shekuj. Prandaj, ne e kundërshtojmë çdo lloj përfaqësimi ndryshe nga ai që është i paraparë në Kushtetutën e vendit.

Ne mendojmë se agjenda evropiane e Kosovës nuk shtyhet përpara duke bërë kompromise në dëm të shtetësisë, por duke plotësuar kushtet e nevojshme për këtë proces, që ndër të tjera përfshin luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

LDK-ja po ashtu ia kujton Qeverisë Thaçi se gjatë kohës sa politika e jashtme udhëhiqej nga LDK-ja, Kosova ishte e barabartë në forumet rajonale dhe evropiane sipas modelit të quajtur “Gymnich”. Përkundër presioneve të mëdha, LDK-ja asnjëherë nuk ka pranuar që Kosova të paraqitej me fusnotë apo e pabarabartë me pjesëmarrësit e tjerë.

Pjesëmarrja me këtë model krijon precedent të rrezikshëm, meqë kjo mund të rezultojë me përfaqësim të Kosovës me fusnotë edhe në forume të tjera të niveleve më të gjera dhe më të larta. Për më tepër, kjo ka hapur rrugë që Kosova, në çdo anëtarësim në organizata ndërkombëtare në të ardhmen, të jetë e përfaqësuar me fusnotë në vend të emrit të saj kushtetues. Gjithashtu, duke pasur parasysh se pjesa dërrmuese e iniciativave rajonale janë nën obrellën e BE-së, kjo e detyron Kosovën që edhe në raport me BE-në të paraqitet me këtë model. Përfundimisht, kjo do të ketë efekte negative në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtete të tjera, meqë, me këtë qëndrim, edhe vetë Kosova e pranon se nuk është anëtare e barabartë me shtetet e tjera.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)