LDK konfirmon zëvendësimin e Kelmendit, Gashit dhe Beqirit
Prishtinë, 31 mars - Lutfi Haziri, Bujar Bukoshi dhe Haki Demolli, do të jenë tre ministrat që do të zëvendësojnë, Nekibe Kelmendin, Alush Gashin dhe Valton Beqirin. Ky është vendimi i marr sot nga Lidhja Demokratike e Kosovës për ndërrimin e tre ministrave në dikasteret që udhëheq ajo në Qeveri në mbledhjen e jashtëzakonshme të kryesisë. Informacionin e konfirmoi anëtari i kryesisë Sali Asllani por jo edhe nënkryetari Eqrem Kryeziu.
Lidhja Demokratike e Kosovës mori vendimin për ndryshimin e ministrave të saj në qeveri. Kjo nuk u konfirmua nga krerët e partisë, megjithatë anëtari i kryesisë Sali Asllanaj bëri të ditur emrat e ministrave që do ti lënë postet dhe ministrave të rinj që pritet ti zëvendësojnë. Asllanaj tha se vendimi është marrë në mënyrë unanime dhe se kjo bëhet për të sjellë ndryshime dhe energji të reja në qeverisje.
Nënkryetari i LDK-së Eqrem Kryeziu nuk i konfirmoi emrat e ministrave që do të largohen nga postet. Ai tha se LDK shpreh gatishmërinë për të bërë ndryshimet e nevojshme për të përmirësuar performancën e qeverisjes.
As Lutfi Haziri i cili përmendet si zëvendësues i Valton Beqirit në postin e ministrit të kulturës nuk e konfirmoi nëse kryesia e partisë i ka dhënë besimin për të drejtuar këtë dikaster qeverisës.
Ndërkaq ministrja e drejtësisë Nekibe Kelmendi e cila e lëshoi mbledhjen e kryesisë me arsyetimin se ka angazhime tjera, nuk e konfirmoi nëse i është kërkuar ta lëshojë postin që mban. Ajo tha se dorëheqje nuk jep por do të respektojë çfarëdo vendimi që merr kryesia e partisë.
Me këtë vendim të kryesisë së LDK-së po i vjen fundi çështjes më të përfolur javëve të fundit në vend, atë të riformatimit të qeverisë. Kryeministri Thaçi që në kohën e fushatës zgjedhore në nëntor të vitit të kaluar pati përmendur se do të ndodhin ndryshime në qeveri. Tashmë pritet që të bëhen zyrtarë edhe emrat e ministrave nga radhët e PDK-së të cilët do të zëvendësohen. Kryeministri Thaçi ka deklaruar se të gjithë ministrat gjatë këtyre dy viteve kanë punuar mirë mirëpo sipas tij pritjet e qytetarëve janë rritur dhe rrjedhimisht edhe nevoja e ndryshimeve në qeverisje. Riformatimin e qeverisë e kanë mirëpritur edhe faktorët ndërkombëtarë dhe përfaqësues diplomatik në vendin tonë.