LDK: Koalicioni LDK - AAK - LDD dhe FER nuk ka ekzistuar kurrë
Prishtinë, 18 prill - Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një njoftimi për media ka theksuar se deklarata e nënkryetarit të parë të Aleancës për Ardhmerinë e Kosovës, Blerim Shala, se kinse Kryetari Mustafa e ka prishur koalicionin parazgjedhor të LDK-së me AAK-në, LDD-në dhe FER-in, në vitin 2010, për, siç pretendon z. Shala, mos ti fituar zgjedhjet është e pavërtetë dhe absurde.
Lidhja Demokratike e Kosovës dëshiron të sqarojë se një koalicion i tillë nuk ka ekzistuar kurrë, se LDK-ja nuk ka pasur asnjë marrëveshje koalicioni me askënd, prandaj një koalicion që nuk ekziston nuk ka se si të prishet.
Lidhja Demokratike e Kosovës, pas zgjedhjeve të brendshme të vitit 2010 ka pasur vetëm katër ditë kohë për ta finalizuar dhe për ta dorëzuar listën e saj me kandidatë për deputetë dhe kjo kohë ka qenë totalisht e pamjaftueshme për të zhvilluar negociata dhe për të arritur marrëveshje për koalicione parazgjedhore.
Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se është tepër e rëndësishme që përfaqësuesit e lartë politikë të subjekteve dhe të institucioneve të vendit të sillen dhe të deklarohen me përgjegjësi dhe korrektësi.