LDK-ja dënon rrëmbimin e policëve të Kosovës
Prishtinë, 1 prill - Lidhja Demokratike e Kosovës dënon fuqishëm rrëmbimin e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga xhandarmëria serbe, z. Shukri Bunjaku dhe z. Sami Beqiri, të cilët po kryenin detyrën e tyre në zonën kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
LDK-ja u bën thirrje institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për lirimin e dy policëve të rrëmbyer dhe kthimin e tyre në Kosovë.
LDK-ja konsideron se aktet e tilla janë tërësisht të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë normalizimit të marrëdhënieve dhe fqinjësisë së mirë ndërmjet dy vendeve.
Po ashtu, LDK-ja fton bashkësinë ndërkombëtare, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjtiha vendet e botës demokratike, që ti bëjnë trysni Beogradit zyrtar për ndaljen e provokimeve të tilla të rënda ndaj Kosovës.