LDK-ja, 6 ulëse më pak në Prishtinë
Prishtinë, 7 dhjetor - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) më 1 dhjetor, përveçse e ka humbur pushtetin në Komunën e Prishtinës, gjatë këtij mandati do ti ketë gjashtë ulëse më pak se në mandatin e kaluar.
Përderisa në zgjedhjet lokale të vitit 2009 LDK-ja kishte fituar 24 ulëse, në zgjedhjet e 3 nëntorit ka fituar vetëm 18 ulëse. Edhe Aleanca Kosova e Re (AKR) e Behgjet Pacollit në vitin 2009 ishte renditur partia e dytë në kryeqytet më 8 ulëse, kurse në këtë mandat do ti ketë katër ulëse më pak në Kuvendin Komunal.
Ndërsa një ulëse më shumë gjatë këtij mandati do ta ketë Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Përderisa në zgjedhjet e 2009-s kjo parti kishte fituar shtatë ulëse, në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit ka fituar tetë ulëse.
Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sikurse në mandatin e kaluar, edhe tani, së bashku me Lidhjen Demokratike të Dardanisë, do ti ketë katër ulëse. Edhe Partia e Drejtësisë gjatë këtij mandati do ti ketë dy ulëse sikurse që i kishte edhe në mandatin e kaluar.
Edhe Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) do të vazhdojë të jetë e përfaqësuar në Kuvendin Komunal me një ulëse, po aq sa kishte në mandatin e kaluar. Ndërsa Partia Social Demokrate (PSD) nuk ka mundur ta ruajë një ulëse të mandatit të kaluar.
Për herë të parë në Kuvendin Komunal të Prishtinës do të përfaqësohet edhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) e Albin Kurtit me dhjetë ulëse, e cila do ta qeverisë kryeqytetin për katër vjetët e ardhshëm. Po për herë të parë pjesë e Kuvendit Komunal të Prishtinës do të jetë edhe Lëvizja për Bashkim (LB) me dy ulëse, Partia e Fortë (PF) me një ulëse si dhe G.I.SRPSKA me një ulëse.
Shala: Zvogëlimi i ulëseve lidhet me konkurrencën dhe shtimin e numrit të votuesve
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Kujtim Shala, zvogëlimin e ulëseve të kësaj partie gjatë këtij mandati në Prishtinë e ka arsyetuar me konkurrencën e fortë në kryeqytet dhe shtimin e numrit të madh të votuesve.
Konkurrenca e këtyre zgjedhjeve në komunat e mëdha ka qenë shumë më e madhe, veçanërisht në Prishtinë. Prandaj, përveç konkurrencës, problemi i zvogëlimit të ulëseve lidhet edhe me shtimin e numrit të votuesve dhe me hyrjen e gjashtë brezave të votuesve të ri që nga viti 2009 deri në vitin 2013. Po ashtu, LDK-së në fund i është hequr një ulëse për shkak të votave me kusht dhe votave me postë, ka thënë Shala për Epokën e re.
Por, pavarësisht se në këtë mandat LDK-ja do të ketë më pak ulëse në asamblenë komunale, Shala ka thënë se kjo parti do ti çojë përpara proceset e nisura për ta përmirësuar jetën e qytetarëve. LDK-ja është bindshëm partia më e madhe në Prishtinë si dhe në Kosovë. Me numrat që ka LDK-ja do ta kontrollojë në mënyrë korrekte asamblenë e Prishtinës.
Ky kontroll do të ndihmojë që proceset e nisura në Prishtinë të vazhdojnë dhe të bëhen punë të mira në funksion të një jete më të mirë për të gjithë qytetarët e komunës së Prishtinës. LDK-ja do të jetë korrekte dhe përfaqësuesit e saj do të punojnë për interesin e përgjithshëm të qytetarëve, ka deklaruar Shala.
Rezultatet e zgjedhjeve të 2013-s
LDK: 29,366 36,94 % (18 ulëse)
VV: 16,014 20,15 % (10 ulëse)
PDK: 12,256 15,42 % (8 ulëse)
AKR: 5,990 7,54 % (4 ulëse)
AAK-LDD: 5,591 7,03 % (4 ulëse)
LB: 2,917 3,67 % (2 ulëse)
PD: 2,476 3,11 % (2 ulëse)
PF: 1,570 1,98 % (1 ulëse)
G.I.SRPSKA: 902 1,13 % (1 ulëse)
KDTP: 802 1,01 % (1 ulëse)
Rezultatet e zgjedhjeve të 2009-s
LDK: 29,668 46,37 % (24 ulëse)
AKR: 9,951 15,55 % (8 ulëse)
PDK: 8,971 14,02 % (7 ulëse)
AAK: 4,549 7,11 % (4 ulëse)
LDD: 3,095 4,84 % (3 ulëse)
PD: 2,657 4,15 % (2 ulëse)
PSD: 1,195 1,87 % (1 ulëse)
ORA: 1,059 1,66 % (1 ulëse)
KDTP: 772 1,21 % (1 ulëse)