LDK-istët e AAK-së kundër koalicionit me PDK-në
Prishtinë, 21 gusht - Ish-zyrtarëve të LDK-së, që kohë më parë e kanë përforcuar Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk po iu pëlqen koalicioni i paralajmëruar me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Një anëtar i kryesisë së kësaj partie në kushte anonimiteti i ka thënë Epokës së re se ldkistët dhe disa të tjerë që nuk kanë lidhje me formimin e AAK-së, e të cilët mbajnë poste të larta, po e kundërshtojnë koalicionin e përfolur me partinë më të madhe në vend.
Sa i përket koalicionit të përfolur me PDK-në, sigurisht se ka edhe kundërshtime nga brenda AAK-së, por kundërshtimet më të forta për moshyrje në koalicion me PDK-në janë nga individët të cilët u janë bashkangjitur AAK-së, konkretisht nga ata që kanë ardhur nga LDK-ja dhe që sot ushtrojnë funksione të larta në AAK, ka thënë burimi i gazetës.
I njëjti burim ka bërë me dije se çdokush në këtë subjekt mund të mendojë ndryshe, por në fund për një gjë të tillë do të vendosin organet e partisë. Çdokush në AAK mund të mendojë ndryshe, kjo është demokratike, por janë organet e partisë të cilat vendosin për çdo çështje dhe aty arrihet konsensusi për çdo temë apo veprim të mëtutjeshëm të AAK-së, në këtë rast edhe për koalicion, është shprehur burimi.