LDK i kërkon EULEX-it zbardhjen e vrasjeve të anëtarëve të saj
Prishtinë, 31 korrik - Raporti i misionit të EULEX-it i publikuar javën e kaluar në të cilin theksohej se dhjetëra vrasje në Kosovë pas luftës janë kryer për motive politike e që viktima ishin kryesisht aktivistë të LDK-së, i ka nxitur familjarët e viktimave që të marrin hapa konkretë për të zbardhur të vërtetën.
Familjarët kanë filluar përgatitjet për krijimin e një organizate joqeveritare që do të quhet Thirrje drejtësisë, përmes së cilës synojnë që ti nxisin institucionet e drejtësisë që të veprojnë për të gjitha rastet e vrasjeve të bëra ndaj anëtarëve të LDK-së, si para ashtu edhe pas luftës.
Ndërsa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar nga misioni i EULEX-it që të zbardhë të gjitha vrasjet e bëra që nga paslufta.
Synimi ynë është që të ecë procesi më shpejt dhe të zbardhen këto raste dhe ai raport i EULEX-it na shtyri që të bashkohemi të gjithë familjarët e viktimave që janë të vrarë gjatë luftës dhe pas lufte në mënyrë tinëzare, ka thënë të hënën Imer Imeri, vëllai i Haki Imerit, i cili njihej si dora e djathtë e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Imeri ka sqaruar se për ta ndihmuar zbardhjen e së vërtetës ata do të kërkojnë ndihmë edhe nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.