LDK: Forumi Rinor në Podujevë po manipulohet
Prishtinë, 19 mars - Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës, duke parë se po manipulohet me çështjen e Degës së Forumit Rinor të LDK-së në Podujevë, thekson se personat e paraqitur nga mediet si drejtues të kësaj dege nuk janë ata që e përfaqësojnë Forumin Rinor të Podujevës.
Kuvendi Zgjedhor i Forumit Rinor të LDK-së në Podujevë është mbajtur më 26 tetor 2011, ku kanë marrë pjesë 88 delegatë, nga 101 sa i ka Kuvendi i FR të kësaj dege, përfaqësuesit nga Kryesia Qendrore e LDK-së dhe Dega e LDK-së në Podujevë. Në këtë Kuvend është zgjedhur Kryetari i FR të LDK-së, z. Fidan Rekaliu, dhe Kryesia e FR të LDK-së.
Çdo tentativë që tjetërkush të paraqitet në emër të Forumit Rinor të LDK-së në Podujevë është e pabazuar, qoftë nga individët, qoftë nga mediat.
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke respektuar vullnetin e të rinjve të Podujevës, si dhe të Degës së LDK-së në Podujevë, mbështet z. Rekaliu në punën e tij dhe fton të gjithë aktivistët e Forumit Rinor në Podujevë që ta ndihmojnë forcimin e mëtejmë të LDK-së në Podujevë dhe në Llap.
Falë punës së Degës së LDK-së dhe të Forumit Rinor, para dy ditëve, në LDK janë anëtarësuar 1350 të rinj llapjanë.
Kryesia e LDK-së çmon lart përkrahjen e re që po merr LDK-ja në Podujevë dhe Llap dhe shpreh përkushtimin e saj për të punuar së bashku me Degën e LDK-së dhe atë të Forumit Rinor të LDK-së në Podujevë.