LDK formon komisione për të informuar për shkeljet ligjore të Shpend Ahmetit
Prishtinë, 19 janar - Kolegjiumi i pesë Degëve të LDK-së së Prishtinës është takuar dje në selinë qendrore të LDK-së kryesuar nga kryetari i Degës së Parë, Ismet Beqiri. Në këtë takim janë konstituar shtatë komisionet dhe kryesitë e tyre, komisione këto të cilat do të funksionojnë në kuadër të Kolegjiumit të pesë Degëve të LDK-së së Prishtinës.
Këto komisione janë: Komisioni për Informim; Komisioni për Arsim; Komisioni për Kulturë; Komisioni për Shëndetësi; Komisioni për Urbanizëm; Komisioni për Ekonomi dhe Buxhet dhe Komisioni për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë.
Përveç kryetarëve të pesë degëve dhe anëterëve të kryesisë së këtyre degëve të Prishtinës, në këtë takim kanë marr pjesë edhe 35 anëtarët e komisioneve gjegjëse.
Në këtë takim është treguar një interesim i madh për formimin e këtyre komisioneve, të cilat do të funksionojnë në kuadër të kolegjiumit.
Edhe në këtë takim nga pjesëmaresit u vlerësua se pushteti aktual në Komunën e Prishtinës udhehequr nga Vetevendosja, nuk është duke punuar aspak në interesin e qytetarëve të Prishtinës si dhe për zotimet që i kanë dhënë.
Përkundrazi, në veprimet e tyre në të gjitha sferat e jetës në Komunën e Prishtinës janë duke u dëmtuar interesat e qytetarëve.
Fatkeqësisht sipas LDK-së kësaj po i prinë kryetari i qytetit, Shpend Ahmeti, i cili më së paku po sillet si kryetar i Prishtinës.
\"Ai po vepron si militant i Vetëvendosjes dhe po i prinë dëmtimit dhe shkatrrimit të qytetit të Prishtinës me mos punë dhe me pjesëmarrje aktive në protestat e dhunshme, të cilat po e dëmtojnë rëndë qytetin e Prishtinës\", thekson LDK.
Komisionet e konstituuara në vazhdimësi do të informojnë, secili nga fusha e vet, për gjithë këto parregullësi, lëshime, shkelje ligjore, dëmtim të buxhetit komunal si dhe me veprime të pa përgjegjshme të këtij pushteti komunal të udhëhequr nga Vetëvendosje dhe kryetari Shpend Ahmeti.
Komisionet, kolegjiumi në bashkëpunim dhe koordinim me grupin e këshilltarëve të LDK-së në Asamblenë Komunale të Prishtinës, do ti koordinojnë të gjitha veprimet e tyre për informimin sa më të drejtë për gjitha veprimet në Komunën e Prishtinës dhe për ofrimin e alternativave të mirëfillta në interes dhe dobi të qytetarëve të Komunës se Prishtinës.
Anëtarët e komisioneve u zotuan se me përgjegjesi të madhe profesionale dhe partiake do ti kryejnë obligimet e tyre në interes të funksionimit të mirëfilltë të këtyre komisioneve nga fushëveprimtaria e tyre.