LDK e VV angazhohen kundër iniciativave të papërgjegjshme të Hashim Thaçit
Duke pasë parasysh krizën politike për shkak të iniciativave të papërgjegjshme, jolegjitime dhe jotransparente të Presidentit të Kosovës, dy kryetarët e partive opozitare që njëkohësisht janë edhe dy partitë më të mëdha në Republikën e Kosovës, vlerësojnë se negocimi i çfarëdo marrëveshje finale me Serbinë duhet bërë me një formulë parlamentare që garanton unitet të gjerë politik.
Kuvendi i Kosovës është institucioni i vetëm që ushtron autoritetin e përcaktimit të asaj çfarë mund dhe nuk mund të negociohet, përmes një vendimmarrje transparente dhe më së paku një shumice të kualifikuar prej 2/3.
Dialogu sipas LDK-së dhe Vetëvendosjes duhet të zhvillohet nga një qeveri e cila ka legjimitet politik dhe e përfaqëson shumicën parlamentare.
Platforma me qëllime dhe parime duhet të jetë legjitime po ashtu përmes një shumice të kualifikuar prej 2/3 e deputetëve të Kuvendit.
LDK dhe Vetëvendosje vlerësojnë se duhet trajtuar 33 marrëveshjet e arritura deri më tani, përkatësisht realizimin, zbatimin dhe ndikimin e tyre.
"Presidenti i Republikës duhet të sillet në harmoni me Kushtetutën, ai nuk gëzon asnjë autoritet për të negociuar aspekte ndërshtetërore me Serbinë, për faktin që ato prekin esencën e parimeve të demokracisë kushtetuese në Kosovë", theksojn LDK dhe Vetëvendosjes .
Negociimi i çfarëdo çështjeje që është fundament kushtetues dhe element i shtetit të Kosovës, siç janë territori, institucionet kushtetuese, popullsia, resurset natyrore, është i papranueshëm dhe ato nuk mund të bëhen objekt i negocimit me Serbinë.
Një përcaktim të tillë Kosova sipas LDK-së dhe Vetëvendosjes e respekton duke u bazuar në premisën juridike të së drejtës ndërkombëtare mbi të cilën ajo e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, dhe e cila gjithashtu reflekton qëndrimin e vendeve kryesore që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
"Çfarëdo ikje nga një themel i tillë është mohim i rrugës për shtetndërtim të Republikës së Kosovës bazuar në intervenimin ndërkombëtar humanitar të NATO-s, rolin e rezistencës paqësore dhe luftën çlirimtare për lirinë e Kosovës, vlerat demokratike që mbron populli i Kosovës, si dhe Opinionin e GjND-së që i njeh legalitetin një rrugëtimi të tillë të përcaktimit liberal të normave të së drejtës ndërkombëtare", thuhet në njoftimin e përbashket të LDK-së dhe Vetëvendosjes .
LDK dhe Vetëvendosje konsiderojnë se një marrëveshje me Serbinë nuk mund të shihet në asnjë prizëm tjetër përpos në atë të njohjes që Kosova gëzon në mënyrë implicite në veton e saj ndaj anëtarësimit të Serbisë në BE, e cila është qartazi e përcaktuar në Kapitullin 35 dhe në Strategjinë për Zgjerim të Komisionit Evropian.
"Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e arritur një marrëveshje me Kosovën. Prandaj, kjo është e vetmja gjë që Kosova mund t’i jap Serbisë, në këmbim të njohjes së saj të shtetit të pavarur të Kosovës, pranimit të parimit të mos-intervenimit në punët e brendshme të Kosovës, njohjes së aftësisë juridike të Kosovës për t’u anëtarësuar në OKB, si dhe adresimit të dëmeve e humbjeve të luftës dhe principit të reciprocitetit për marrëdhënie të mira fqinjësore."
"Kosova do të ketë koordinim të plotë dhe mirënjohje për pozicionin e ShBA-ve, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë. Kosova do të njeh përjetësisht kontributin e këtyre shteteve dhe përfaqësive e misioneve të tyre në shtetndërtimin në Kosovë, dhe, do të kërkojë ndihmë prej të njëjtëve për ta fuqizuar pavarësinë dhe shtetin e Kosovës në të drejtën ndërkombëtare", theksojn me tutje këto dy parti parlamentare.
LDK e Vetëvendosje vlerësojnë po ashtu se thirrja e një konference ndërkombëtare do të jetë e panevojshme dhe e papranueshme, meqenëse do të hapte rrugë për ndërhyrje të Rusisë dhe Kinës në një proces të pavarësimit të Kosovës i cili është përmbyllur në vitin 2008 dhe nuk mund të kthehet mbrapa në asnjë nga elementet e shtetësisë së saj.
"Kosova është shtet i pavarur dhe shtetësia e saj nuk mund të rinegociohet në asnjë element përbërës të saj. Kosova do të mbetet shtet i tillë në të drejtën ndërkombëtare me apo pa njohjen e Serbisë."
"Askush nuk mund ta rivlerësojë atributin e shtetit të Kosovës si produkt i rezistencës dhe luftës së popullit për liri, intervenimit të NATO-s dhe konsensusit të prerë të demokracive perëndimore për një gjë të tillë", deklarojnë në fund LDK dhe Vetëvendosje.