LDK e voton ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion
Prishtinë, 19 mars - Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se deputetët e Lidhjes Demokratike do të votojnë pro ratifikimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka njoftuar se “27 votat e deputetëve të LDK-së janë në favor të ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi”.
Kuvendi i Kosovës pritet që të martën të ketë në rend dite ratifikimin e Marrëveshjes së demarkimit të kufirit me Malin e Zi, marrëveshje kjo e arritur më 2015.
“Koalicionit qeverisës i takon t’i sigurojë 62 vota. Nuk mund të arsyetohen me refuzimin e deputetëve serbë, për shkak se me votat e tyre e mbajnë në këmbë qeverinë e brishtë”, ka shkruar Hoti.
Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi është njëri nga dy kushtet e fundit që duhet të plotësojë Kosova për të siguruar lëvizjen e lirë pa viza në zonën Schengen, krahas kushtit për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.