LDK e vendosur që të mos e lëshojë postin e kryeministrit
Prishtinë, 12 nëntor - Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur që të mos e lëshojë postin e kryeministrit, pas heqjes dorë nga kryeparlamentari, që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese i takon PDK-së.
Por AAK-ja vazhdon të insistojë se i janë besnikë marrëveshjes së 10 qershorit për ndarjen e kulaçit. Atë kohë LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma ishin marrë vesh që i nominuari i tyre për kryeministër të jetë Ramush Haradinaj, Mustafës ti takojë pozita e kryetarit të Kuvendit kurse Nismës për Kosovën- zëvendës/kryeministri.
Por ndryshimi i rrethanave dhe vendimi të Gjykatës Kushtetuese për postin e kryeparlamentarit ka ndryshuar edhe ambiciet e LDK-së, e cila nuk dëshiron të mbetet pa një post kryesor në formulën e ardhshme qeverisëse.
Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë për Koha Ditore se bisedimet ndërmjet partnerëve të koalicionit të madh po vazhdojnë, por deri më tani nuk ka një marrëveshje përfundimtare.
/Koha Ditore/