LDK e Prizrenit përkrah Mustafën në zhvillimin e vendit
Prizren, 3 Shkurt - Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti sot në Prizren takim me strukturat drejtuese dhe veprimtarët e degëve të partisë të Prizrenit, Suharekës, Rahovecit, Malishevës, Dragashit dhe Zhurit.
Në takim, i cili u hap nga nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, përfaqësuesit e degëve të LDK-së në regjionin e Prizrenit shprehën mbështetje për procesin e avancimit të organizimit të brendshëm të LDK-së, duke dhënë propozime konkrete për avancimin e Statutit të LDK-së.
Degët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në regjionin e Prizrenit, gjatë takimit, shprehën mbështetje të plotë për punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës të drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa.
Përfaqësuesit e degëve të LDK-së, po ashtu, çmuan lartë përkushtimin e Qeverisë për zbatimin e programit qeverisës, reformimin dhe avancimin e politikave në interes të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe krijimin e kushteve optimale për zhvillim ekonomik.
Veprimtarët dhe përfaqësuesit e strukturave të LDK-së në këtë regjion përshëndetën me theks të posaçëm punën dhe rezultatet konkrete të Qeverisë Mustafa në proceset integruese euroatlantike dhe forcimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e BE-së.