LDK e PDK rehatojnë në misione diplomatike ish-kandidatët për deputetë
Prishtinë, 10 shtator - Misionet diplomatike të Kosovës janë vënë në shërbim të akomodimit të partiakëve nga koalicioni PDK-LDK.
Pas tri propozimeve të para, Ministria e Jashtme që udhëhiqet nga ish-kryeministri Hashim Thaçi ka vazhduar edhe me katër propozime tjera politike për ambasadorë, shkruan sot Koha Ditore.
Gazeta ka siguruar dy vendimet e fundit të MPJ-së, që mbajnë datën 7 shtator, të cilat i janë dërguar Komisionit për Punë të Jashtme.
Ish- kandidatja e PDK-së për deputete, Luljeta Vuniqi, që nuk kishte marrë mjaftueshëm vota për tu futur në Kuvend, është propozuar ambasadore në Budapest të Hungarisë, ndërkaq deputetja aktuale e LDK-së, Teuta Sahatqiu, është propozuar për emërim me dekret në pozitën e konsulles së përgjithshme në Nju-Jork.
Dy kandidatet të mërkurën i janë nënshtruar intervistimit në Komisionin për Punë të Jashtme dhe pasi të përpilohet raporti me rekomandime do ti dërgohet presidentes. Ndërkaq, të enjten pritet që para komisionit të dalin edhe dy propozime tjera.
Ish-ministri i Tregtisë dhe i Industrisë në Qeverinë Thaçi 2, Bernard Nikaj, është propozuar për ambasador në Bruksel, kurse ish-kandidatja e LDK-së për deputete, Nazane Breca, do të dërgohet në Ambasadën e Kosovës në Bernë.