LDK, e indinjuar me deklaratën e Demaçit për Tahir Zemajn
Prishtinë, 2 maj - Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së veprimtarit Adem Demaçi i cili ditë më parë ka thënë se ushtaraku Tahir Zemaj ka qenë një kontrabandist droge.
LDK thekson se ndjehet thellësisht e indinjuar ndaj deklaratave të veprimtarit Adem Demaçi lidhur me kolonel Tahir Zemajn, ish-komandant i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit dhe drejtues e fitues i betejave të Loxhës, i vrarë pas luftës, së bashku me djalin Enisin dhe kushëririn Hasanin, nga autorë të panjohur edhe sot.
Deklaratat e tilla fyejnë rëndë familjen Zemaj, bashkëluftëtarët e Tahir Zemajt dhe qytetarët e Kosovës, thuhet në reagim.
Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se është detyrë e çdo qytetari të Kosovës që ta nderojë veprën e madhe të heronjve tanë. Heroi i Kosovës, kolonel Tahir Zemaj, ka qenë një nga drejtuesit kryesorë të luftës në Kosovë, një nga profesionistët që kanë drejtuar dhe kanë fituar beteja. Lidhja Demokratike e Kosovës do të nderojë përherë veprën e madhe të kolonel Zemajt dhe të bashkëluftëtarëve të tij në shërbim të lirisë së Kosovës, vazhdon reagimi i LDK-së.
Ndryshe, Demaçi, gjatë një akademie të organizuar në Suharekë me rastin e 23 vjetorit të vdekjes së veprimtarit Fadil Vata, kishte kërkuar nga Presidentja Atifete Jahjaga që të ketë kujdes se kujt i jep titullin Hero i Kosovës.
Sipas Demaçit, një të këtillë, nuk e ka merituar ish eprori i FARK-ut, Tahir Zemaj, meqë ai, sipas tij, ka qenë një diler droge.