LDK e AAK, pritet t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese
Prishtinë, 24 shkurt - Përfaqësuesit e partive politike opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë paralajmëruar se do ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për të kërkuar mendimin e saj se a është shkelur Kushtetuta apo jo, gjatë seancës së zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Sipas LDK-së në bazë të zhvillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, ku është votuar për presidentin, është shkelur Kushtetuta e Kosovës.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paralajmëruar, se do ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e votimit të presidentit.
Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, ka thënë se ngjarjet në Kuvendin e Kosovës i kanë dhënë një hije të keqe jo vetëm institucionit, por edhe asaj për çka është luftuar e punuar tash e një dekadë.
Nga ana tjetër, Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se lëvizja e tyre ende nuk ka një vendim të prerë se a do ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, por, sipas tij, një gjë është e sigurt - se Kushtetuta e vendit është shkelur në Kuvendin e Kosovës.