LDK dorëzon postet ministrore
Prishtinë, 18 tetor Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi që doli nga koalicioni qeverisës është duke i dorëzuar postet ministrore tek sekretarët e përhershëm të ministrive.
Anëtarët e Qeverisë nga radhët e LDK-së, po dorëzojnë detyrat, sipas vendimit të kryesisë së LDK-së që u mor të shtunën për dalje nga koalicioni qeverisës.
Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni përmes një komunikate për media njoftoi se sot ishte takimi i tij i fundit si ministër. Ai ka falënderuar bashkëpunëtorët e tij, dhe ka thënë se Kosova do të vazhdoi të jetë shtet stabil duke përparuar edhe me njohje të reja. Ministri i deritashëm Hyseni, falënderoi zëvendës ministren Çitaku, sekretarin e përhershëm të MPJ-së, Fitim Gllareva, drejtorin e përgjithshëm të MPJ-së, Lulzim Mjeku dhe shërbyes të tjerë civilë në MPJ për punën e deritashme dhe për bashkëpunimin e mirëkuptimin reciprok, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Ndërsa zëvendëskryeministri i deritashëm dhe njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj konfirmoi se LDK-ja po i dorëzon postet ministrore.
Pas këtyre zhvillimeve ndodh që do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme edhe pse data është caktuar nga UD i presidentit me 13 shkurt 2011.