LDK diskutoi ndryshimet në rregulloret e zgjedhjeve te brendshme
Prishtinë, 5 nëntor - Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në mbledhjen e mbajtur dje, diskutoi për procesin zgjedhor brendapartiak.
Kryesia konstatoi se, në përputhje me Statutin e ri të LDK-së, janë të nevojshme disa ndryshime në rregulloret e zgjedhjeve te brendshme partiake.
Kryesia e LDK-së, po ashtu, diskutoi rreth prezantimeve që bënë Grupi Punues për Platformë Zgjedhore dhe Grupi Punues për Përgatitjet Zgjedhore, të cilat u themeluan më 15 tetor 2014.
Grupi Punues për Përgatitjet Zgjedhore prezentoi shkurtimisht draftin e parë të Rregullores së Punës së Kuvendit të Nëndegës/Degës dhe procesin e regjistrimit të anëtarësisë së LDK-së.
Kryesia, gjithashtu diskutoi edhe për procesin zgjedhor në Degën e Prizrenit, në të cilën kanë përfunduar zgjedhjet në shumicën e Nëndegëve të LDK-së në Prizren. Kryesia e vlerëson si të suksesshëm procesin e deritanishëm zgjedhor në Degën e Prizrenit.
Përgaditjet teknike dhe njoftimet përkatëse për Degët tashmë kanë filluar dhe në mbledhjet e ardhshme të Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshmë do të caktohet data zyrtare e fillimit të zgjedhjeve brendapartiake.